Të hënën në orën 17:00 deputetët do të rikthehen në Parlament. E hëna e tretë e janarit do t’i gjejë ligjvënësit në ulëset e seancave plenare, në sesionin e fundit për këtë legjislaturë të dhjetë, e cila do të vijojë punimet deri në mars, për t’ia lënë më pas vendin përgatitjeve për votimet e 11 majit që do të zgjedhin parlamentin e ri.
Mëritë e bojkoti përkohësisht janë harruar dhe deputetët e të gjitha palëve do të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët për disa nisma. Sfida më e afërt, është ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që imponohet nga realizimi i votës së diasporës, proces historik që implementohet për herë të parë në këto zgjedhje.
PD e PS duhet të bashkojnë votat për disa ndryshime, që lidhen sa me anët teknike, aq edhe politike të procesit.