Rusia ka reaguar në lidhje me protestat e vazhdueshme në Serbi, duke paralajmëruar për rrezikun e “kaosit” në vend. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u bëri thirrje protestuesve që të tregojnë qetësi dhe maturi.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që protestuesit, veçanërisht ata me ndikim në opinionin publik, të tregojnë sens të shëndoshë. Në Serbi nuk duhet të lejohet të mbretërojë kaosi,” tha Zakharova në një deklaratë zyrtare.
Protestat studentore kanë vazhduar për tre muaj me radhë, duke kulmuar me dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq. Situata e tensionuar politike ka sjellë shqetësime në rajon, ndërsa Rusia ka shprehur hapur qëndrimin e saj për zhvillimet në Serbi.
Protestuesit, të cilat kanë bllokuar kryqëzimet kyçe në Beograd me pjesëmarrje dhe të fermerëve dhe traktorëve të tyre, kanë kërkuar përgjegjësi për incidentin tragjik në Novi Sad në nëntor, ku shembja e një tende në stacionin e trenit, shkaktoi vdekjen e 15 personave
Sipas protestuesve incidenti është shkaktuar si pasojë e korrupsionit të qeverisë, pasi stacioni i trenave sapo ishte rikonstruktuar.
Tubimet janë rritur masivisht gjatë javëve të fundit, duke ngritur presion mbi autoritetet për të marrë masa ndaj shkaktarëve të tragjedisë dhe për të adresuar kërkesat e tyre për reforma.
Kryeministri Vuçeviç, i cili ishte gjithashtu kryetar i bashkisë së Novi Sadit deri në vitin 2022, është detyruar të japë dorëheqjen pas intensifikimit të tensioneve. Në një deklaratë të përbashkët me kryetaren e parlamentit, Ana Brnabiç, presidenti Vuçiç nënvizoi nevojën për dialog me studentët dhe për uljen e tensioneve.
Ai tha se “çdo lloj krize paraqet problem serioz për ekonominë”, duke shtuar se situata e krijuar nuk është e mirë për shoqërinë serbe.
Gjithashtu, kryetari i komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç, ka njoftuar dorëheqjen e tij, duke u bërë kështu një tjetër figurë politike që largohet nga posti pas presionit të madh publik.