Një libër nga Profesor Selami Xhepa dhe kolegët e tij ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili jua ka dhuruar të gjithë ministrave dhe deputetëve të tij për tu njohur me tezat për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Ish-deputeti demokrat i foli Ramës për pengesat që i bën ekonomisë, burokracia e lartë, si dhe nënvizoi nevojën që edhe institucionet e pavarura të japin llogari.

“Institucionet e pavarura janë një mit, sepse varen nga ligji. Ka nevojë për monitorim, duhet të jetë me performancë dhe indikatorë”, tha ai.

Në këtë aspekt, kryeministri komentoi për herë të parë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që rriti pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kemi bërë në mënyrë të përsëritur përpjekje, por gjatë rrugës e kam parë në më shumë se një rast që një gjë e konsideruar e çliruar është shfaqur sërish e kapur në një tjetër anë dhe zinxhiri i burokracisë është shkurtuar në një anë dhe është zgjatur nga një anë tjetër.

Sa i përket pavarësisë së institucioneve është problem, se pse sa më shumë i japim pavarësi aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar në kuptimin e performancës, jo politik, në sistemet shtetërore.

Rasti klasik dhe më spektakolar i impotencës së pjesës tjetër për të thënë jo, është se si gjyqtarët i rritën pagat vetes. Bënë një ankim në GJK sepse sipas tyre llogaria e pagave dilte që duhet të rritej në një masë x dhe Kushtetuesja bëri një ekstra llogari e nxori që duhej të rritej edhe më shumë nga sa ishte kërkuar.

Universiteteve i kemi dhënë autonomi financiare, por kontrolli i performancës, nuk e maksimizon efektin që duhet të kishte. Pika tjetër, kur vjen puna tek ministritë, e kemi vuajtur dhe e vuajmë pjesën që ministria i bën të gjitha, kur në fakt ato duhet të bëjnë politika. Është një rendje pas të tashmes kur rutina luan një rol të madh në presionin që ushtron dhe punohet në një lloj emergjence”, u shpreh Rama.

Rama dhe profesor Xhepa apeluan që biznesi të hapë sytë për të kapur ritmin e kohës, pasi integrimi në BE mund t’i gjejë të papërgatitura për të konkurruar.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se pavarësia e universiteteve nuk duhet parë si liri e pakufishme, por duhet që performanca e tyre të kontrollohet.