Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për rikthimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha në arrest shtëpie, shqyrtohet këtë të premte në Apelin e GJKKO-së.

Seanca nis në orën 10:00 në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Gjyqtari që do të shqyrtojë ankimin e SPAK është Engert Pëllumbi. Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha u lirua mbi një muaj më parë pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.

Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani, që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme.

Për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” akuzohet edhe biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash.