Ditën e sotme shënohen 14 vite nga protesta e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë. Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia.
Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.