– Oreksi vjen duke ngrënë. Kështu thotë një fjalë e urtë, dhe Mirlind Daku ka shumë uri në Rusi. Njëri nga sulmuesit më të mirë të Premier Ligës së këtij vendi, dhe numri 1 për ekipin e tij, Rubin të Kazanit, ka shprehur për mediat moskovite dëshirat që ka deri në fund të sezonit. Objektivi i tij i rëndësishëm është Kupa e Rusisë, ndërsa shprehet për televizionin “Maç”, se “dua të bëj zhurmë në këtë konkurrim dhe të fitoj trofeun”.
Rubin është në çerekfinalen e njërit krah të këtij kompeticioni, që siguron njërin nga finalistët, dhe do të luajë në 12 mars ndaj ekipit Ural të Jekaterinburgut. Po ashtu, Daku komentoi edhe situatën në kampionat, duke thënë se skuadra do të luftojë në çdo ndeshje si deri tani, dhe se duhet të ruajë aftësinë konkurruese.
Përsa i përket synimit personal në Premier Ligë, sulmuesi kuqezi theksoi se pëlqen të fitojë Këpucën e Artë si shënuesi më i mirë i sezonit. Për momentin, ylli i kombëtares është në vendin e tretë në këtë renditje me 9 gola, ndërsa i pari është Ugalde i Spartakut të Moskës me 15. Daku ka kontratë në klub deri në fund të sezonit dhe duhet të shihet nëse do të ketë rinovim apo do të largohet me parametër zero.