Korpusi i laboratorëve të referencës pranë Institutit të Shëndetit Publik është një hapësirë moderne prej 2900 m², e cila po ndërtohet me buxhetin e shtetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, një investim që sipas tij “do të garantojë trefishim të kapaciteteve laboratorike dhe rritje në nivel më të lartë të biosigurisë sipas standardeve të BE-së”.

Gjatë inspektimit dje të punimeve për ndërtimin e korpusit të Laboratorëve të Referencës Kombëtare pranë ISHP-së, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se “me rritjen e kapaciteteve këtu mundësohet që të kryhen diku tek 35 mijë ekzaminime laboratorike në situata të qeta”. Sigurisht, u shpreh ajo “që edhe në situata epidemiologjike do të kemi kapacitete dyfishuara të ekzaminimeve që kryhen në këto laboratore”.

Ky investim i buxhetit të shtetit përmirëson po ashtu parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e ISHP-së duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.

Gjithashtu, me mbështetjen e buxhetit të shtetit do të rikonstruktohet edhe godina qendrore e ISHP-së.