Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”.

Qëllimi i projektligjit është shfrytëzimi me efektivitet i tokave bujqësore në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmes përfshirjes në procesin e dhënies me qira edhe të aktiviteteve që lidhen me teknologjitë inovative në bujqësi si; agrifotovoltaike, aeroponia, hidroponia dhe akuaponia.

Përdorimi i këtyre teknologjive të reja do të sjellë rritjen e investimeve dhe të prodhimit bujqësor duke shfrytëzuar dhe vënë në eficencë toka bujqësore me pjellori të ulët.

Kjo do të arrihet përmes aktiviteteve si: “Aeroponia” që është teknika e kultivimit të bimëve duke i mbajtur rrënjët e tyre të varura në hapësirë, në të cilën aplikohet periodikisht, ose pa ndërprerje, tretësirë ushqimore në formë pluhuri.

“Hidroponia” që është teknika e kultivimit të bimëve në tretësirë ujore, e cila mund të përfshijë substrat inorganik (rërë, granil, perlit, lesh guri, gur vullkanik, etj.) ose organik (torfë, lëvoret e drurëve, lëvoret e arrës së kokosit, kashtë orizi, etj.),

“Agrifotovoltaik” që është kombinim midis aktivitetit bujqësor dhe prodhimit të energjisë së rinovueshme, ku parësor është aktiviteti bujqësor, etj.

Projektligji saktëson se, “përdorimi i këtyre teknologjive të reja do të sjellë rritjen e investimeve dhe prodhimit bujqësor si dhe një qasje të re të bujqësisë në vend duke shfrytëzuar jo vetëm sipërfaqet e tokës bujqësore por dhe duke zhvilluar kultivimin e bimëve dhe mbi tokë. Kjo sjell rritjen dhe të prodhimit bujqësor në vend duke shfrytëzuar çdo opsion të mundshëm. Gjithashtu dhe legjislacioni për investimet strategjike përfshin tek sektorët strategjike dhe teknologji inovative në fushën e bujqësisë. Për këtë arsye për të shkuar në harmoni dhe me përcaktimin e legjislacionit për investimet strategjike lind nevoja për ndryshimin e propozuar.

Sipas legjislacionit të investime strategjike, të gjithë subjektet që marrin statusin e investitorit strategjik, i referohen legjislacioneve sektoriale për lidhjen e autorizimeve dhe kontratave. Në rastin, kur investitori ka marrë statusin e investitorit strategjik për projektet për zhvillimin e aktivitetit bujqësor, si dhe të akuaponisë në tokë bujqësore, ka patur një pengesë ligjore për lidhjen e kontratës nga ana e institucionit të MBZHR-së, për shkak se bie ndesh me legjislacionin sektorial të qiradhënies së tokës në pronësi shtetërore”.