Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë. Votimi zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.
Në konferencë për media, Elezi bëri të ditur se janë hapur qendrat e votimit në shtetet evropiane, ndërkaq votimi në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhje Kanada do të fillojë në orën 13:00.
Në orën 13 sipas kohës lokale në Kosovë planifikohet të hapet procesi i votimit në ShBA dhe Kanada
“Në orën 13:00 sipas kohës lokale të Kosovës planifikohen të hapet edhe procesi i votimit në ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Uashington deri në konsullatën e Nju Jorkut, gjithashtu edhe në ambasadën e Kosovës në Kanada, respektivisht në Otavë, si dhe në konsullatën e Torontës”, tha Elezi.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.
Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.