Drejtuesi Politik për Diasporën i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë të drejtpërdrejtë nga Athina, tha se Partia Socialiste nuk do ta braktisë diasporën pas zgjedhjeve.

“Kemi vazhduar sot turin e takimeve me bashkatdhetarët tanë këtu në Athinë, i cili do të jetë një formë tjetër, sepse do të jetë e një natyre bashkëbisedimi ku bashkatdhetarët do të bëjnë pyetje dhe do të marrin sqarime lidhur me çështjet që ata mendojnë se duhen sqaruar, nga ato që janë angazhimet e Partisë Socialiste. Unë e thashë dhe në Kretë, do ta them përsëri këtu në Athinë, që diferenca e Partisë Socialiste me të tjerët është që të tjerët shkojnë vetëm në fushatë. Ne do të vijmë përsëri këtu, siç kemi ardhur gjithmonë.”

Balla i cilësoi partitë e vogla si kukullat ruse matrioshkat që dalin nga prehri i kreut të PD-së, Berisha.

“Të them të drejtën, më duken të gjithë si matrioshka, kështu që, brenda matrioshkës së bufit të madh, po të vazhdosh dalin njëri pas tjetrit. Kështu që nuk bëj komente për askënd, të them të drejtën, luftojnë për një vend pune në parlament. Ndërkohë që këtu beteja është se si të përmbyllim një aspiratë historike për ta parë Shqipërinë tonë anëtare të Bashkimit Europian dhe kjo aspiratë mund të konkretizohet vetëm me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.”

Partia Socialiste, tha Balla, ka treguar se është partia që di të rinovohet, siç po bën kësaj here në kërkim të mandatit të katërt.

“Mos harroni asnjëherë që një ofertë politike duhet të përmbushë tre kushte themelore për t’u votuar. E para, duhet të ketë një udhëheqësi politike dhe këtu Edi Rama, besoj biem të gjithë dakord, bën një diferencë shumë të madhe me gjithë të tjerët; të kesh një ekip dhe ekipet e Partisë Socialiste janë ekipet të cilat kanë dëshmuar që dinë të rinovohen gjithashtu; dhe të kesh një program, që e vetmja forcë politike që vjen me një program real të bazuar mbi shifra konkrete, jo mbi premtime boshe, është vetëm programi i Partisë Socialiste “Shqipëria 2030”.”

Balla deklaroi se diaspora shqiptare është gjykuesja më e drejtë në këto zgjedhje.

“Tani diaspora është gjykatësi më i drejtë, sepse ndoshta edhe distanca e bën që ata ta shohin dhe ta matin sa duhet ndryshimin e madh, progresin e madh që ka bërë Shqipëria.”