Bota për fëmijët sot duket shumë më ndryshe se sa për prindërit e tyre. Një skenë nga seriali i suksesshëm i Netflix ” Adoleshenca ” tregon se sa i madh është ky ndryshim.
Në episodin e dytë të serialit, Inspektori Detektiv Luke Bascombe (Ashley Walters) ndodhet në një shkollë të mesme për të hetuar arsyen pse 13-vjeçari Jamie Miller (Owen Cooper), personazhi kryesor, dyshohet se ka vrarë shoqen e tij të klasës, Katie. Bazuar në ndërveprimet e tyre në Instagram, ai supozon se të dy ishin miq, nëse jo në një marrëdhënie romantike. Kjo, derisa djali i Bascombe i cili është gjithashtu nxënës në shkollë i thotë se ai e ka kuptuar gabim situatën.
Emoji-t e pafajshëm në dukje, me të cilat Katie kishte komentuar në Instagramin e Jamie-t, në të vërtetë ishin një formë e koduar e ngacmimit. Emoji i dinamitit përfaqëson një “pilulë të kuqe” shpërthyese, një referencë ndaj “manosferës”. Simboli “100” është një tjetër shenjë e manosferës, që i referohet një teorie në ato rrethe se 80% e grave janë tërhequr vetëm nga 20% e burrave.
Është një zbulim tronditës për Bascombe dhe të rriturit e tjerë të cilët qartësisht nuk janë në dijeni të ideve të rrezikshme me të cilat fëmijët e tyre bien në kontakt dhe se si këto ide ndikojnë në jetën e tyre.
Kjo shkëputje është në zemër të “Adolescence”, i cili që nga premiera ka nxitur diskutime mbi qëndrimet e të rinjve ndaj grave, kulturën incel, përdorimin e smartphone-ve dhe më shumë. Miniseriali britanik fillon si një dramë kriminale, por përgjatë katër episodeve të tij eksploron se çfarë mund ta ketë shtyrë një djalë që duket i pafajshëm të kryejë një akt kaq të tmerrshëm.
Përgjigjet që ofron nuk janë të thjeshta
CNN foli me bashkë-krijuesin e serialit, Jack Thorne, për udhëtimin e tij në qoshet më të errëta të internetit, zemërimin e të rinjve dhe atë që ai shpreson se prindërit do të mësojnë nga seriali.
Ky serial trajton shumë çështje aktuale: Manosfera, maskuliniteti modern, bullizmi në internet. Çfarë ju bëri të donit ta tregonit këtë histori?
Filloi me mikun tim (bashkë-krijuesin e serialit) Stephen Graham. Stephen më telefonoi dhe tha se duhet të shkruanim një serial për djemtë që urrejnë vajzat dhe për krimet me thika, të cilat në Mbretërinë e Bashkuar janë një problem shumë i madh aktualisht. Kjo ishte pika e nisjes për të folur mbi zemërimin mashkullor, për zemërimin dhe mizorinë tonë. Po përpiqeshim të krijonim një portret të ndërlikuar të maskulinitetit: Si u formuam ne dhe si po formohen adoleshentët në mënyra të ngjashme, por me shumë ndryshime gjithashtu.
A ishin këto çështje diçka që kishit menduar më parë?
I kisha menduar, por disi i kisha lënë mënjanë. Ndërsa po përpiqesha t’i kuptoja më thellë, hasa në shumë gjëra që më habitën dhe shumë ide që, nëse do t’i kisha dëgjuar në momentin e gabuar, do të më kishin çuar në rrugë që jam shumë mirënjohës që nuk i kam ndjekur.
Idetë pas kulturës incel janë shumë tërheqëse sepse japin shpjegime për shumë ndjenja: izolimi, mungesën e vetëvlerësimit, ndjenjën se nuk je tërheqës. Ato të thonë se ka një arsye pse bota është kundër teje: Sepse bota është ndërtuar nga një perspektivë femërore dhe gratë kanë gjithë fuqinë. Këto ide të sugjerojnë se duhet të përmirësosh veten, të shkosh në palestër, të mësosh si të manipulosh dhe si të dëmtohesh.
Cili ishte procesi juaj i kërkimit për të ndërtuar karakterin e Jamie-t?
Duke eksploruar qoshet më të errëta të internetit, si Reddit dhe 4chan, dhe duke ndryshuar algoritmin tim. Krijova shumë llogari të rreme në të gjitha platformat kryesore të rrjeteve sociale dhe fillova të ndjek njerëzit më të njohur në këtë fushë. Ata më çuan te njerëzit më pak të njohur, dhe ata ishin ata që më interesuan më shumë.
Asnjë 13-vjeçar nuk po konsumon drejtpërdrejt përmbajtjen e Andrew Tate. Ata ndjekin dikë që është i dhënë pas lojërave, serialeve ose muzikës, i cili ka konsumuar Andrew Tate dhe tani po e përhap këtë ideologji në një formë tjetër. Ky nivel i ndikimit ishte ai që më interesoi më shumë për të kuptuar se si u ndërtua Jamie.
A kishte një pyetje kryesore që po përpiqeshit t’i përgjigjeshit? Pse e bëri Jamie atë veprim?
Gjithmonë kemi thënë: “Ky nuk është një mister për të zbuluar kush e bëri, por një histori për të kuptuar pse e bëri.”
Çka duhet të ndryshojë për të trajtuar radikalizimin e të rinjve?
Duhet të gjejmë një mënyrë për të trajtuar rrjetet sociale. Si ta bëjmë këtë, është shumë e vështirë, sepse nuk do të vijë nga vetë platformat duke u vetë-rregulluar. Në Britani, po përpiqemi të diskutojmë mbi moshën digjitale të lejës. Në Australi, të miturit nën 16 vjeç janë të ndaluar nga rrjetet sociale dhe është përgjegjësi e platformave që t’i mbajnë jashtë. Shpresoj që edhe në Britani të mund të nisim të flasim për këtë.
Çka shpresoni që shikuesit të mësojnë nga ky serial?
Të dëgjojnë fëmijët. Ata janë vërtet të cenueshëm tani dhe kanë nevojë për ndihmë. Kjo vlen për të gjithë. Për prindërit: dëgjoni fëmijët tuaj. Për mësuesit: dëgjoni nxënësit tuaj. Për politikanët: dëgjoni të rinjtë. Ata janë të përjashtuarit e mëdhenj të momentit dhe po kalojnë një dhimbje të madhe.
Nuk ka përgjigje të thjeshta për këtë, por përgjigja më e madhe është: Lërini të flasin, ose gjeni një mënyrë për t’i bërë të flasin. Vetëm atëherë, ndoshta, mund të fillojmë t’i ndihmojmë.