Ngjarja e rëndë në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku në një diskotekë vdiqën së paku 51 persona, ka tronditur komunitetin.
Në rrjetet sociale, disa nga familjet e të rinjve që ndodheshin në lokalin e natës po postojnë foto të fëmijëve dhe numrat e celularëve, në mënyrë që nëse dikush i sheh t’i informojë se ku ndodhen dhe nëse janë shtruar në spital.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për media informoi se gjithsej 118 persona janë shtruar në objekte të ndryshme spitalore pas tragjedisë në Koçan.
Ai theksoi se të gjithë pacientët po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se sistemi shëndetësor është plotësisht i mobilizuar.
“Nuk ka pacient që nuk po përkujdeset, të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion”. “Ne do të bëjmë çmos për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur”.
Taravari bëri të ditur se gjatë ditës do të vizitojë disa nga klinikat kirurgjikale ku do të marrë më shumë informacion për gjendjen e të lënduarve.
“Ne do të shkojmë në klinikat kirurgjikale ku do të kemi më shumë informacion.”