Kryeministri Edi Rama, në takimin me emigrantët në Kretë, tha se njëra prej pyetjeve që ata kanë shtruar shpesh është plotësuar: vota e diasporës, për të cilën tha se disa në Tiranë nuk e donin.

“Të takohesha me shqiptarë që jetojnë këtu, edhe gjetkë, por sidomos këtu, duhet tu përgjigjesha dy pyetjeve kryesore. Njëra e kam marrë përgjigjen, tjetra pret. E para kur do të na jepet edhe ne mundësia që të votojmë si shqiptarë në Shqipëri pa qenë e nevojshme që të marrim rrugët për të hedhur edhe ne votën tonë. Ka qenë përpjekje jo e shkurtër, jo e lehtë sepse përveç nesh, askush tjetër në Tiranë nuk e donte votën e shqiptarëve jashtë atdheut, për një arsye, se e kuptonin shumë mirë se nëse shqiptarët jashtë do të fitonin të drejtën të votonin nga jashtë, atëherë padiskutim që ky do të ishte një tjetër avantazh për ne, për PS, për forcën që sot vazhdon të qeverisë vendin dhe që e ka transformuar Shqipërinë nga një vend që ishte shumë e vështirë t’ja thoshe emrin pa u ndjerë keq para të huajave, në një vend emrin e të cilit sot e respekton çdo i huaj. Por jo vetëm kaq. Unë besoj se ata në Tiranë e kuptonin që syri juaj, vëzhgimi dhe gjykimi juaj është me një distancë të mjaftueshme dhe bazohet në një eksperiencë të mundimshme pune për të qenë një gjykim shumë objektiv sepse ju ia dini punës dhe sakrificave të punës më shumë se çdo kush tjetër. Ju e dini, që punët duan mund të madh, ju e dini që rritja e ekonomisë së familjes do mund dhe durim të madh, që të arrish të pranohesh nga të tjerët përmes rezultateve të punës do vërtetë kokëfortësi dhe ambicie të madhe dhe në një farë mënyre historia e Shqipërisë së këtyre tre mandateve është shumë e ngjashme me historinë e familjes dhe të shtëpisë tuaj. E ngjashme me historinë e marrëdhënieve tuaja me fqinjët rreth e rrotull. Dikur nuk kishit shtëpi, flinit nëpër fusha, strehoheshit në një kënd, kush iu përdorte si krah pune, sot ju shkoni në shtëpitë tuaja këtu e kudo në Greqi dhe anembanë Evropës. Sot juve letrat ju vijnë në adresën që mban emrin e babait tuaj. Sot rreth e rrotull grekë apo çfarë do qofshin, këta këtu nuk iu shohin më nga lart poshtë dhe s’kanë më shans që t’ju përbuzin. Sepse nuk jeni të detyruar t’ju thonë mirë mëngjes edhe kur iu thonë plaç. Kjo e juaja është historia e rivendosjes së emrit Shqipëri dhe shqiptarë aty ku e meriton, historia e vendosjes së reciprocitetit të respektit të ndërsjellë dhe detyrimit për të na respektuar ku i respektojmë në marrëdhëniet mes fqinjëve dhe çdo shteti tjetër.”