Rrjeti i ri hekurudhor me shpejtësi 300–400 km/h synon të lidhë 39 qytete kryesore në Evropë deri në vitin 2040, një mundësi e madhe edhe për Shqipërinë që të përfshihet në projektin më të madh të transportit të gjelbër në kontinent.
Një rrjet i ri hekurudhor panevropian me shpejtësi të lartë, i quajtur “Starline”, është propozuar nga një institut kërkimor me qendër në Kopenhagë, me synimin për të lidhur 39 destinacione në vende të ndryshme të Evropës përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Ukrainën.
Projekti i ri përfaqëson një vizion ambicioz që kapërcen kufijtë e linjave ekzistuese ndërkufitare, të cilat janë shtuar në vitet e fundit, por që ende mbeten të fragmentuara, të ngadalta dhe shpeshherë të papërshtatshme për udhëtarët.
Sipas propozimit, rrjeti Starline do të funksionojë si një sistem metroje në shkallë kontinentale, duke sjellë lidhje ultra të shpejta që do të rivalizojnë udhëtimet ajrore.
“Një sistem hekurudhor i vërtetë i integruar nuk është më thjesht një çështje komoditeti; është një nevojë strategjike për qëndrueshmërinë e Evropës në shekullin XXI”, thuhet në deklaratën e institututit “21st Europe”.
“Koncepter si një rrjet metroje, Starline synon të ndryshojë mënyrën se si evropianët e perceptojnë kontinentin e tyre, jo si një bashkësi kryeqytetesh të largëta, por si një rrjet i vetëm, dinamik, ku çdo lidhje për njerëz apo mallra është lehtësisht e arritshme.”
Një vizion për vitin 2040 por sa realist është?
Instituti synon që rrjeti të bëhet funksional deri në vitin 2040, një afat ambicioz por i bazuar në nevojën për një transformim rrënjësor të sistemit të transportit në Evropë.
Megjithëse Bashkimi Evropian ka nisur projektin TEN-T – Rrjeti Trans-Evropian i Transportit – për unifikimin e infrastrukturës kontinentale, 21st Europe kritikon mungesën e ambicies dhe dizajnit në këtë projekt. “Sistemi hekurudhor aktual është i ngarkuar me bileta të ndërlikuara, shërbime të pakoordinuara dhe stacione të vjetruara. Është një mundësi e humbur për ta bërë hekurudhën një element identitar të Evropës.”
Nga Helsinki në Berlin për vetëm pesë orë
Rrjeti Starline do të shtrihet në një gjatësi prej 22,000 kilometrash, me trena që do të lëvizin me shpejtësi 300–400 km/h – rreth 30% më shpejt se udhëtimi aktual me rrugë tokësore apo hekurudha ekzistuese.
Kjo do të thotë se udhëtimi nga Helsinki në Berlin do të zgjasë vetëm pak më shumë se pesë orë, ndërsa linja Kiev–Berlin, që sot është një udhëtim natën, do të bëhet një lidhje e shpejtë dhe e parashikueshme. Edhe itinerare si Milano–Mynih, që sot janë të ngadalta e të ndërlikuara, do të kthehen në lidhje të shpeshta mes qendrave kryesore ekonomike.
Trenat Starline do të jenë të lehtësisht të dallueshëm me ngjyrën e kaltër të errët dhe nuk do të ndahen në klasa, por në ambiente të dedikuara sipas nevojave: zona të qeta për punë, hapësira të përshtatshme për familje etj.
Stacionet do të ndërtohen pranë qyteteve të mëdha dhe do të lidhen me transportin urban ekzistues. Por ato nuk do të jenë thjesht terminale – vizioni është që të shndërrohen në qendra kulturore me restorante, dyqane, salla koncertesh, muze, ambiente sportive dhe hapësira për evente.
Një projekt për klimën dhe të ardhmen e gjelbër të Evropës
Përveç aspektit infrastrukturor, Starline shihet edhe si një projekt madhor për klimën. Transporti llogaritet për rreth 29% të emetimeve të gazrave serrë në Bashkimin Evropian dhe fluturimet e shkurtra vazhdojnë të jenë zgjedhja kryesore për miliona njerëz, edhe pse hekurudha me shpejtësi të lartë emeton deri në 90% më pak CO₂ për udhëtim.
Disa shtete si Franca dhe Austria kanë nisur të kufizojnë fluturimet e brendshme ku ekziston një alternativë hekurudhore, por instituti thekson se për të pasur ndikim real, nevojitet një qasje e bashkërenduar në shkallë evropiane.
“Një kalim i guximshëm drejt hekurudhës së shpejtë mund të jetë shansi më i mirë që ka Evropa për të përmbushur objektivin e emetimit zero deri në vitin 2050 – duke garantuar mobilitet të shpejtë dhe të qëndrueshëm.”
Model publik me operatorë kombëtarë
Për të kthyer projektin në realitet, 21st Europe propozon një model funksionimi të financuar publikisht, ku menaxhimi i përgjithshëm i trenave, teknologjisë dhe përvojës së pasagjerëve do të jetë i unifikuar në nivel evropian, ndërsa linjat do të operohen nga operatorët kombëtarë përmes një modeli franshize.
Një Autoritet i Ri Hekurudhor Evropian do të jetë përgjegjës për koordinimin, standardizimin dhe zgjerimin afatgjatë të rrjetit. Sipas planit, sistemit do t’i nevojiten marrëveshje të përbashkëta për punonjësit, standarde teknike dhe rregulla të përbashkëta sigurie – me trajnim të njëtrajtshëm për të gjithë personelin në të gjithë Evropën.
“Ka ardhur momenti që vizioni të shndërrohet në veprim. Po ndërtojmë një rrjet që sjell ndryshimin e vërtetë eduke bashkuar politikbërës, dizajnerë dhe drejtues të industrisë për të bërë realitet këtë projekt që i përket të ardhmes,” përfundon deklarata e institututit.