Gjykata e Lartë rrëzoi sot (22 prill) rekursin e kreut të PD-së, Sali Berisha, në lidhje me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” që ka vendosur Apeli i GJKKO-së, në lidhje me aferën e dosjes “Partizani”.
Kërkesa ishte depozituar nga avokatët, që kërkonin heqjen fare të kësaj mase. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, informon se pas shqyrtimit në Kolegj, kjo kërkesë nuk është vlerësuar si e argumentuar, duke i dhënë të drejtë GJKKO-së dhe SPAK në masën e vendosur më herët.
E njëjta masë u la në fuqi, për arrest shtëpiak edhe ndaj dhëndrit Jamarbër Malltezi.
Nga ana tjetër, nesër është edhe seanca paraprake në GJKKO për kalimin ose jo të dosjes “Partizani” për gjykim në themel. Kjo seancë zvarritet prej më shumë se 6 muajsh dhe tashmë GJKKO ka caktuar edhe avokat kryesisht, duke paralajmëruar palët për taktikën e ekzagjëruar ligjore të zvarritjeve proceduriale të çështjes. Nesër pritet që të merret edhe një vendim.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për Jamarbër Malltezi”, thuhet në vendimin e marrë.