Kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me sipërmarrës në zonën e Ksamilit.

Duke i falenderuar për pjesëmarrjen në këtë takim, Gjiknuri u shpreh se, “me lobimin tim kam sjellë shumë investime që kanë përmirësuar cilësinë e jetës në Ksamil, por mbi të gjitha kam bërë më të mirën e mundur për bizneset tuaja. Ksamilin e keni ndërtuar ju të gjithë, që keni ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, dhe kjo është bukuria e Ksamilit dhe e keni bërë Ksamilin strehën tuaj dhe motorin më të rëndësishëm të turizmit.

“Kam shumë krenari që ju drejtohem juve. Kërkoj mbështetjen tuaj edhe për çështje që e shqetësojnë interesin tuaj por të jem në themel të zhvillimit të kësaj zone, me qëllim që nesër t’i adresojmë edhe më mirë interesat ekonomike të Ksamilit. Kjo zonë, progresin e ka bërë gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste. Personalisht, kam dhe unë një shenjë gishti aty, gjithmonë për të mirën e zhvillimit. Patjetër që programi ynë ekonomik i fokusuar kryesisht drejt zhvillimit turistik do të japë më shumë të mira materiale për ju.

Rrugët po përmirësohen. Më vjen mirë që dhe rruga Sarandë-Ksamil do zgjerohet, duke lehtësuar problemin e trafikut në verë. Rrjeti i ujësjellësit është bërë, energjia është përmirësuar, pavarësisht se, ka ende nevojë për shtesë me rritjen e kërkesës. Problemi i ujit për mua do të jetë problemi kryesor dhe për këtë do të më keni mbështetës dhe jam shumë i bindur që ne me qeverinë e Edi Ramës këtë do ta realizojmë. Vota për Partinë Socialiste ka një dritë në fund të tunelit edhe në këtë drejtim, që po bëhet gjithnjë e më sfidues”, u shpreh Gjiknuri.

Referuar kandidaturës së tij, ai theksoi se:

“Jam kthyer me shumë dëshirë, tanimë me një sistem të ri zgjedhor ku kandidoj me emrin tim. Është hera e parë që kërkoj tek ju votë në emrin tim. Më vijnë fjalë që ju thonë është deputet i dalë Damiani. Jo, Damiani ka nevojë për të gjithë votat e qytetarëve të Ksamilit, për t’ju përfaqësuar dhe për të qenë deputeti juaj. Këtë ua kërkoj në mënyrë të drejtpërdrejt. Ju doni një përfaqësues të provuar, me eksperiencë dhe që e ka treguar veten që ju ka ndenjur në krah për kërkesat dhe nevojat tuaja. Diferencën mes forcave politike ne e kemi shumë të qartë. Përballë kemi një forcë politike si opozita, që nuk iu ofron asgjë qytetarëve dhe këtu jeni dëshmimtarë vet që nuk ka as një shpresë as për të ardhur në pushtet, por nuk ofron asgjë konkrete zhvillimore për këtë zonë, dhe për problemet zhvillimore që ka Saranda. Juve ju duhet një zë i fortë politik”.