SPAK zbardh një nga aferat më të rënda të tranzicionit shqiptar: Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, tani zyrtarisht të pandehur, synuan të përfitonin deri në 10 milionë euro nga skema e famshme CEZ-DIA. Një objektiv që, sipas Prokurorisë së Posaçme, u mbështet nga korrupsioni sistematik, presioni mbi zyrtarë, dhe lidhje të ngushta me botën e lobimit ndërkombëtar.
Në qendër të skandalit është kompania “Debt International Advisory” e Kastriot Ismailajt, e krijuar në një parajsë fiskale dhe e përdorur, sipas SPAK, si mjet për të kanalizuar miliona euro nga marrëveshja me CEZ. Brenda vetëm pesë muajve, Meta dhe Ismailaj kanë komunikuar 115 herë, çka sipas hetuesve dëshmon bashkëpunim intensiv për sigurimin e kontratës fitimprurëse për mbledhjen e borxheve të CEZ.
Në këtë mënyrë, kompania DIA fitoi 6.5 milionë euro, pa plotësuar kriteret ligjore.
SPAK i referohet edhe dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Elvis Mataj, dikur pjesë e rrethit të ngushtë të Metës, por që tashmë ka hedhur dritë mbi planin për përfitime financiare të paligjshme. Një ndër dëshmitë më tronditëse vjen nga gruaja e Ismailajt, e cila rrëfen presionet që Meta ushtroi ndaj bashkëshortit të saj për të financuar fushatat elektorale – përfshirë kërkesa të drejtpërdrejta për 300 mijë euro.
Për të mbuluar gjurmët, Meta mohoi çdo kontakt me Ismailajn jashtë vendit, por SPAK ka zbuluar pjesëmarrjen e tij në mbledhje në Pragë, ku Ismailaj prezantohej si “si vëlla” i tij. Madje, përfaqësues të CEZ kanë ngritur shqetësime për ndikimin e tij, por marrëdhënia me Metën i detyroi të heshtnin.
Afera CEZ nuk është e vetmja pikë e errët në dosjen e çiftit Meta-Kryemadhi. Hetimet për lobimin në SHBA nxjerrin në pah 463 mijë dollarë të padeklaruar, ku një pjesë e madhe e shumës është transferuar jashtë sistemit financiar zyrtar. Diferenca e 369 mijë dollarëve është paguar nga entitete të paidentifikuara, duke shkelur rregullat e transparencës financiare.
Në një tjetër episod, Prokuroria ka zbuluar një skemë të dyshuar pastrimi parash përmes një kredie të marrë nga nëna e Kryemadhit për blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro. Megjithatë, SPAK tregon se e gjithë shuma është paguar cash, ndërsa kredia është përdorur si mbulesë. Në total, përmes kësaj skeme, 846 mijë euro janë futur në sistemin bankar nga vjehrra e Metës.
Gjithashtu, çifti ka kryer shpenzime mjekësore të padeklaruara në shumën e 106 mijë eurove, shumica e të cilave janë paguar me para në dorë.
Një tjetër hetim i SPAK lidhet me përfshirjen e çiftit në favorizimin e kompanive të kushëririt të Kryemadhit, biznesmenit Adrian Shatku, për të hyrë në tregun e fibrave optike në Shqipëri. Kompanitë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC kanë përfituar projekte milionëshe. Në këmbim, Meta dhe Kryemadhi kanë marrë karta krediti për shpenzime personale dhe janë paguar për lobim politik në SHBA – pa asnjë deklarim zyrtar.
Dosja e SPAK është një mozaik i korrupsionit, pastrimit të parave, dhe keqpërdorimit të pushtetit, që çoi një ish-president dhe një ish-kryetare partie nga maja e politikës në bankën e të pandehurve./Lexo.al