Bruksel – Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj operacioneve të fundit të Policisë së Kosovës dhe mbylljeve të njëanshme të shërbimeve publike në veri të vendit, duke paralajmëruar pasoja serioze për stabilitetin në terren dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, BE shpreh shqetësim të thellë për ndërhyrjet ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit “Vodovod Ibar” në Mitrovicën e Veriut, si dhe ndaj fabrikës së ujit dhe ndërmarrjes komunale në Zubin Potok – institucione që ofrojnë shërbime jetike për komunitetin lokal.
“Këto veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara nga autoritetet e Kosovës rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike dhe minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit mes komuniteteve,” thuhet në deklaratën zyrtare të BE-së.
Brukseli kritikon në mënyrë të veçantë qasjen e Qeverisë në largim të Albin Kurtit, duke i bërë thirrje që të ndalojë menjëherë mbylljet dhe të tregojë përmbajtje në veprime që mund të çojnë në destabilizim të situatës.
“Autoritetet e Kosovës duhet të ndalin këtë qasje konfrontuese dhe të shmangin çdo hap që nxit përshkallëzimin,” thekson më tej BE.
Në deklaratë ritheksohet se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen pa vonesa dhe pa kushte në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një obligim që Kosova nuk e ka përmbushur ende.
“Normalizimi i marrëdhënieve është kusht i panegociueshëm për rrugëtimin evropian të të dyja palëve,” përfundon reagimi i fortë i Bashkimit Evropian.