Një incident në Mitrovicën e Veriut më 23 maj – ndaj të cilit reagoi një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi – ka shkaktuar reagime të shumta. Derisa disa pretendojnë se polici reagoi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar”, të tjerët thonë se polici mori masa të “domosdoshme” për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një grup maturantësh nga komuniteti serb po festonte mbarimin e vitit shkollor me një paradë nëpër qendër të qytetit, kur një polic ndaloi njërin prej tyre për shkak se, siç thuhet, kishte provokuar njerëzit në një kafene lokale aty pranë.
Prej shtatorit të vitit të kaluar, në qendër të Mitrovicës së Veriut janë hapur disa biznese në pronësi të shqiptarëve të Kosovës, të cilat kryesisht bojkotohen nga banorë vendas serbë.
Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.
Çfarë e shkaktoi incidentin?
Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se maturantët serbë kishin paraqitur njoftimin për paradën në qendër të Mitrovicës së Veriut, e cila përfundoi “qetësisht dhe pa ndonjë problem”.
Megjithatë, në deklaratë thuhet se Policia duhej të ndërhynte gjatë festimeve për shkak të disa provokimeve, por se situata u qetësua dhe se festa vazhdoi.
Në deklaratën e policisë nuk saktësohet se kush kë po e provokonte dhe në çfarë mënyre.
Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.
Ministri Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.
Kur reagoi Policia?
Nga pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet që Policia e Kosovës ndalon një nga maturantët që tregonte gishtin e mesëm. Njëri nga policët i thotë se po provokonte. Gjatë bisedës, polici e mban një dorë në qafën e të riut, ndërsa banorët përreth thonë se ai nuk kishte bërë asgjë dhe kërkojnë që të lirohet.
Pikërisht ky gjest, vendosja e dorës së policit në qafën e të riut, ka shkaktuar reagime të shumta, me akuza për përdorim të tepruar të forcës.
Shefi i EULEX-it, Barbano, e dënoi këtë akt dhe tha se është i bindur se polici do të mbahet përgjegjës.
“Shpreha shqetësimin tim para udhëheqësisë së Policisë së Kosovës dhe besoj se ata që janë përgjegjës për këtë akt të papranueshëm do të mbahen përgjegjës në përputhje me sundimin e ligjit”, shkroi ai.
Reagimet politike
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e quajti incidentin “plotësisht të papranueshëm” dhe se pretendoi se institucionet që duhet të sigurojnë paqe “po përdoren për të përhapur frikë dhe presion me motiv etnik”.
“Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm të këtij rasti, përcaktimin e përgjegjësisë dhe ndëshkimin e policëve që kanë keqpërdorur kompetencat e tyre”, thuhet në deklaratë.
Edhe Lëvizja Popullore Serbe dhe Demokracia Serbe kërkuan hetim dhe e quajtën ngjarjen “dhunë institucionale ndaj fëmijëve serbë nga Policia e Kosovës”.
Ndërkohë, ministri Sveçla deklaroi se Kosova garanton të drejta të barabarta për të gjithë, por nuk mund të lejojë që vlerat demokratike të dëmtohen nga veprime që burojnë nga “regjimi autokratik prorus i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjajshme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli [Millan] Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë”, shkroi Sveçla.
Kush tjetër reagoi?
Reaguan edhe organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë, Kisha Ortodokse Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat si Nisma e Re Shoqërore, CASA, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, Aktiv dhe Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike shprehën shqetësim për “reagimin selektiv të Policisë, që ishte drejtuar ekskluzivisht ndaj një nxënësi serb”, si dhe për “përdorimin e tepruar të forcës”.
Këto organizata kërkuan procedurë disiplinore ndaj policit për përdorim të tepruar të forcës, pezullimin e tij deri në përfundim të hetimit, trajnim të detyrueshëm për sjellje profesionale, të drejtat e njeriut dhe punën në mjedis multietnik, kërkim falje publike për familjen e nxënësit dhe qytetarët, dhe dialog urgjent për riintegrimin e Policisë.
Policët serbë e braktisën kolektivisht Policinë e Kosovës në nëntor 2022, si pjesë e largimit të serbëve nga institucionet në veri të Kosovës. Fillimisht ata u zëvendësuan nga policë shqiptarë, por më vonë u rekrutuan rreth 100 policë të rinj nga komuniteti serb dhe pakica të tjera.
Edhe Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe reagoi, duke thënë se Policia ka vepruar në mënyrë “selektive”f dhe nuk ka reaguar ndaj “provokimeve të shqiptarëve të Kosovës”.
Ajo kërkoi që përfaqësuesit ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të parandaluar përshkallëzimin dhe përkeqësimin e sigurisë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e quajti incidentin një dëshmi të “pazotësisë, shtypjes dhe terrorit ndaj serbëve në Kosovë”./ REL