Ksamili çel sezonin turistik në natën e rikthimit në shtëpi të Festës së Midhjes.

Pas disa viteve mungesë në qytezën e tre ishujve, Mbretëresha e Butrintit u ekspozua në stendat e fermerëve dhe restoranteve si simbol i promovimit të turizmit të zonës.

“Ksamilit i është rikthyer festa e midhjes, një festë që lindi këtu dhe tashmë rikthehet më e pasur, më e organizuar dhe me një infrastrukturë të përmirësuar për të pritur siç duhet turistët vendas dhe të huaj”, ka thënë nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, Florjan Sali.

Festa e Midhjes bën bashkë restorantet lokale pranë stendave , për të shërbyer midhje të gatuara në mënyra të ndryshme, ndërsa qindra turist shijojnë ushqimin karakteristik të qytezës nën ritmet e muzikës.

Për përfaqësuesit e restoranteve promovimi i këtij produkti është një nxitje për turizmin atje.

Festa e Midhjes do të zgjas tre net me radhë, përveç ofertës gastronomike, përmes aktiviteteve të ndryshme Ksamili shpalos tek të huajit natyrën, bregdetin dhe kulturën.