Nga Fatos Çoçoli/

Më 8 maj 2025, në Aeroportin e Vlorës do të kryhet testi i parë i uljes së avionit në pistën e gjatë prej 3.2 kilometrash. Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajrorë ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, si në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave VLO.

Prenotimet e para

Brenda sezonit veror 2025, mund të nisin fluturimet tregtare të Aeroportit. Që tani ka nisur prenotimi i fluturimeve për në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës për këtë vit, nga agjencitë turistike lokale dhe ndërkombëtare.

Agjencitë kanë filluar të prenotojnë avionët çartër të parë, sidomos për fluturimet transoqeanike. Fluturimet nga SHBA-të dhe Kanadaja, për shembull, mundësohen nga pista e gjatë 3.2 km e Aeroportit të Vlorës, i cili mund të presë avionë transoqeanikë.

Në vitin e parë të veprimtarisë, që është pikërisht ky vit, Aeroporti i Vlorës pritet të ketë pasagjerë më shumë nga sa ishte parashikuar në studimin e tij të leverdisshmërisë. Ky studim fliste për vetëm 330 mijë pasagjerë për vitin e parë të aktivitetit.

Po këtë muaj (maj 2025) mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit.

Tabela 1. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës: Të dhënat
⦁    Investimi: 104.5 mln euro
⦁    Vendodhja: Akërni. 10 min larg autostradës Levan-Vlorë
⦁    35 vite koncesion. Bazë për flotën e avionëve Air Albania
⦁    Strehë e kompanive “low cost”. Wizz Air dhe Rayan Air që ditën e parë të futurimeve
⦁    Fluturime “point to point”. Lidhje me çdo aeroport dytësor në Greqi, Itali dhe Mal të Zi

1746338732_aeroportiivlores.jpg

Kontributi i Aeroportit në ekonominë e Vlorës dhe të vendit

Sipas Organizatës Ndëkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), një aeroport i ri ndërkombëtar në një rajon të caktuar jo kryeqytet i atij vendi, kontribuon zakonisht, duke e shtuar me 7-10 përqind vëllimin e ekonomisë lokale, ndërsa ekonominë e vendit me 02-0.3 përqind.

Sipas INSTAT, ekonomia e rajonit të Vlorës, duke përfshirë edhe Sarandën, kontribuoi në vitin 2024 me një të dhjetën në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vendit (PBB), ose ndryshe prodhimi kombëtar. Ai sot kap vlerën e mbi 25 miliardë eurove në vit.

Duke marrë shifrën më të ulët të kontributit të një aeroporti ndërkombëtar rajonal, si Aeroporti i Vlorës, pra 7 përqind, i bie që qarkut Vlorë dhe vlonjatëve t’u shtohen si aktivitet ekonomik edhe 21.4 milionë euro vetëm gjatë vitit 2025.

Me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rekordet që po thyen Rinasi në numër pasagjerësh dhe linjash fluturimi, por edhe me të dhënat e para për prenotimet e fluturimeve për në dhe nga Vlora, veprimtarët turistikë shprehen të sigurtë se Aeroporti i Vlorës mund të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se gjysëm milionë pasagjerë.

Tabela 2. Vlora, aeroporti i emigrantëve
⦁    Vlora do të jetë si tre aeroportet ndërkombëtare të Irlandës, që vulosën zhvillimin e saj, të mbiquajtura “aeroportet e Diasporës”
⦁    Aeroporti i Vlorës: mundësi të sjellë emigrantët nga Italia, Gjermania, Anglia, SHBA e Kanada për pushime
⦁    Aeroporti i Vlorës: qendër ekonomike
⦁    Vendi përreth: resorte dhe hotele

Aeroport i fluturimeve ndërkontinentale

Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka gjerësi 60 metra. Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan.

Duke qenë një aeroport rajonal në jug të vendit, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës mund të vendosë lidhje dhe linja me aeroportet fqinje në Veri të Greqisë dhe në Jug të Italisë, si dhe përtej Ballkanit.

Me potencialin e lartë të fluturimeve që në vitin e parë të veprimtarisë, me siguri që të dyja kompanitë ndërkombëtare që fluturojnë me kosto të ulët në Shqipëri, kompania Wizz Air dhe kompania Rayan Air, do të operojnë, krahas Rinasit, edhe në Vlorë.

Prania e këtyre kompanive ajrore të fluturimeve me kosto të ulët edhe në Vlorë, garanton bileta të përballueshme dhe me oferta tërheqëse në Aeroportin e Vlorës. Ai ndodhet i vendosur në Akërni, në një zonë strategjike ajrore, shumë të përshtatshme, e cila lejon fluturime nga të gjitha anët e horizontit.

Aeroporti  ka dyfishuar pronat në Akërni

Sipas agjencive të pronave të paluajtshme në Vlorë, çmimi i metrit katror të pronave në zonën Vlorë-Akërni është rritur me 1.4-1.6 herë në gjashtë muajt e fundit. Në Akërni është dyfishuar. Sipas banorëve të fshatit Akërni në afërsi të Aeroportit, prej nisjes së punimeve të aeroportit, ka pasur një interes në rritje nga qytetarë dhe sipërmarrës për blerje tokash apo banesash.

Ka nisur rekrutimi i punonjësve të Aeroportit, ndërkohë që Aviacioni Civil i vendit po punon për hapjen e një akademie për profesionistë të fluturimeve ajrore civile, në bashkëpunim me Organizaten e Transportit Ajror Civil Ndërkombëtar ICAO. Parashikohet që bërja funksionale e Aeroportit të Vlorës, nisja e operimit të tij, do të krijojë 1200 vende të reja pune për personel aeroporti, si dhe pjestarë të sektorit të Aviacionit Civil Shqiptar(pilotë dhe staf ndihmës), për vlonjatët dhe qytetarë nga i gjithë vendi.

Futja në veprim e aeroportit të Vlorës do t’i japë oksigjen të plotë turizmit në Jug të vendit. Aeroporti pritet ta rrisë ekonominë rajonale të Vlorës me mbi 11 përqind çdo vit, ndërsa ekonominë e Shqipërisë me mbi 0.4 përqind. Ai do të nxisë ndërtimin e hoteleve të rinj përgjatë gjithë rrugës nga aeroporti deri në Vlorë, madje edhe deri në Ksamil. Parashikohet që Aeroporti Ndëkombëtar i Vlorës të zgjasë sezonin turistik veror në Jug në 4-5 muaj.