Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjerë prej 279 miljesh dhe është vetëm tre orë larg me linjë ajrore nga Britania e Madhe, shkruan Chris Samuel në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Vendi i bukur në Evropën Juglindore është shpallur si destinacioni më i mirë për t’u vizituar në botë, këtë vit.
“HelloSafe”, publikoi listën e destinacioneve kryesore për t’u vizituar në vitin 2025, ku u renditën vendet që ofronin kosto më të përballueshme, siguri, klimë dhe përvojë autentike.
Kompania tha se në përzgjedhjen e saj u vlerësuan faktorë – duke përfshirë koston e përgjithshme të një qëndrimi të plotë, destinacionet ende të paprekura nga turizmi masiv, cilësinë objektive të përvojës si, moti i favorshëm, pasuria kulturore, shumëllojshmëria e aktiviteteve dhe popullaritetin dhe perceptimin pozitiv të vendeve. Shqipëria, e vendosur në Gadishullin Ballkanik doli në krye të listës – me një rezultat prej 75,8, duke reflektuar reputacionin në rritje të vendit si një destinacion udhëtimi.
Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, Shqipëria ka një kosto më të përballueshme.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u shpall së fundmi nga “TimeOut” si një ndër opsionet më të përballueshme për pushime në qytet dhe një zgjedhje e shkëlqyer për turistët me buxhet të kufizuar. Qyteti është një nga destinacionet më të lira përsa i përket ushqimit dhe aktiviteteve krahasuar me kryeqytetet dhe qytetet e tjera evropiane.
Kostoja e biletave të hyrjes në muzetë kryesore varion nga 2,5 deri në 5 paund, dhe një krikëll birrë kushton 2,96 paund.
Kostoja mesatare e një “Airbnb” me një shtrat është 40 paund nata. Një vakt për dy persona mund të kushtojë midis 21 dhe 25 paund, zakonisht me porcione mjaft “bujare”.
Vendi ka një vijë bregdetare të gjerë prej 279 miljesh me një mori plazhesh me rërë të artë, ujëra të pastra dhe vendpushime të qeta.
Shqipëria, gjithashtu është shtëpia e peizazheve të jashtëzakonshme malore dhe një larmie të pasur vendesh historike.
Pikat kryesore përfshijnë Apoloninë, rrënojat e një qyteti të lashtë ilir rreth 12 kilometra nga qyteti jugor i Fierit, si dhe Beratin me fortesën e tij epike dhe arkitekturën mbresëlënëse që daton që nga shekulli XIII.
Shqipëria është më pak se tre orë larg Britania e Madhe me linjë ajrore, duke e bërë atë një destinacion të shkëlqyer për një fundjavë të gjatë.