Policia ka publikuar pamjet e arrestimit të Xhevdet Plakut dhe 6 personave të tjerë, mes të cilëve vrasësi i dyshuar me pagesë Flobenc Meçja, gjatë një aksioni tek një restorant tek Gjiri i Lalzit.

Në VIDEO shihet momenti kur Forcat Operacionale të armatosur deri në “dhëmbë” zbresin nga automjetet dhe futen brenda restorantit ku ndodheshin 7 të arrestuarit duke drekuar në restorant.

Efektivët futen brenda ambienteve të biznesit dhe u drejtohen Xhevdet Plakut dhe të pranishmëve të tjerë në tavolinë “Policia barkas, barkas”, “Mos lëvizni”, ndërsa një prej tyre mbante një pjatë me ushqim në dorë.

Xhevdet Plaku, me 25 identitete, u prangos pasi policia mori informacione për disa persona që ndodheshin në ambientin e restorantit, me dyshime se ishin të armatosur. Gjatë kontrollit iu gjet armë me fishek në fole gati për qitje.

Gjatë operacionit policor në restorant ndodheshin edhe Flobenc Meçja dhe Voltan Xhani, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, po ashtu të armatosur me fishekë në fole gati për qitje.