Për të 20-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Të mërkurën (21 maj), ligjbërësit refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.

Ndërkohë më 20 maj kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, ngulmoi se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit është vendim i partisë dhe se ajo nuk do të tërhiqet.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.