Një operacion i bujshëm antidestabilizues është finalizuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për spiunazh në shërbim të BIA-s serbe – mes tyre tre shqiptarë dhe dy serbë, që vepronin nën hundën e institucioneve kosovare. Lajmin e konfirmoi vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim të ashpër e plot tone alarmi për atë që e cilësoi si “përpjekje të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të vendit”.

Në një postim publik, Kurti zbuloi se ky rrjet është zbërthyer pas një pune të koordinuar mes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, duke e cilësuar operacionin si një ndër më të suksesshmit në luftën kundër ndikimit serb në territorin e Kosovës.

“Një nga të dyshuarit, me inicialet A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me provat, duke konfirmuar edhe një herë profesionalizmin e lartë të AKI-së dhe strukturave tona të sigurisë,” u shpreh Kurti.

Sipas tij, veprimtaria e rrjetit përfshinte:

Mohimin e masakrës së Reçakut dhe përpjekje për njollosjen e UÇK-së përmes rishkrimit të historisë,

Infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare, me qëllim minimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit.

Kurti theksoi se këto suksese nuk janë të rastësishme. Ai vlerësoi efikasitetin e jashtëzakonshëm të AKI-së, që, sipas tij, ka treguar aftësi analitike dhe operative të avancuara në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues.

“Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm. Çdo qytetar është ushtar në frontin për siguri kombëtare. Këto raste duhet të shërbejnë si shembull i vetëdijes sonë kolektive”, përfundon Kurti në reagimin e tij.