Një artikull i publikuar së fundmi në Fox News, që portretizon kryeministrin Edi Rama si një “autokrat” dhe opozitën si shpëtimtare të demokracisë në Shqipëri, ka ngritur dyshime për mënyrën se si ky artikull ka përfunduar në një prej platformave më të ndikuara në SHBA.
Artikulli është publikuar në rubrikën “Opinion” të Fox News, dhe në krye mban emrin e autorit, Agim Nesho.
Kjo nënkupton se artikulli nuk është linjë editoriale e medias amerikane Fox News, por është një opinion personal i ish diplomatit Agim Nesho, për të cilin mund të ketë paguar para për publikimin e saj.
Prestigjozja Fox News ofron shpesh artikuj nëpërmjet një marrëveshjeje komerciale – një praktikë që njihet si op-ed i sponsorizuar.
Kjo do të thotë se dikush mund të paguajë për hapësirën në Fox News, jo për të informuar, por për të ndërtuar një narrativë të caktuar politike dhe ku përgjegjësinë e shkrimit e merr drejtëpërdrejtë Autori.
Por a është ky një artikull i rregullt editorial, apo një “paid placement”?
Kush e ka negociuar dhe paguar për publikimin e tij?
A është përdorur ndonjë kompani lobimi amerikane për të mundësuar publikimin në një media si Fox News, e cila njihet për lidhjet me Republikanët e Donald Trump?
Një akt i paprecedent në botën demokratike
Nuk njihet asnjë shembull i ngjashëm në vendet e NATO-s apo BE-së – ku një ish-diplomat dhe zyrtar i një partie opozitare i drejtohet një mediaje të huaj me një qëndrim të tillë ekstrem kundër vendit të vet.
Më tepër sesa kritikë ndaj qeverisë, artikulli synon të diskreditojë Shqipërinë si shtet, ta paraqesë si një “regjim autokratik” dhe të godasë themelet e stabilitetit të saj institucional dhe gjeopolitik.
Në të shkuarën, edhe media të tjera ndërkombëtare, kryesisht gjermane, kanë ndërmarrë artikuj kundër qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama.
Por, ndryshe nga sot, asokohe autorësia ka qënë linjë editoriale e medias, dhe jo opinion personal i një zyrtari të opozitës.
Kjo praktikë e rrezikshme jo vetëm që kompromenton imazhin e vendit, por vë në pikëpyetje etikën e atyre që orkestrojnë një sulm ndaj imazhit të Shqipërisë.
Nëse vërtetohet se artikulli është paguar, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të rëndë moral dhe politik, ku interesat partiake vihen mbi interesat kombëtare.
Në demokraci, opozita ka të drejtë të kritikojë qeverinë. Por, kur kjo kritikë kthehet në fushatë ndërkombëtare për baltosje të imazhit të Shqipërisë, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Kush i paguan këto artikuj? Dhe në emër të kujt flitet kundër vendit tonë?
©CopyrightVoxNews