Kërkesa e gjyqtarëve shqiptarë për rritje të pagës për herë të dytë brenda vetëm tre viteve ka hapur një debat të fortë mbi kufirin mes të drejtës legjitime për të pasur një shpërblim të dinjitetshëm dhe dyshimeve të forta për abuzim me privilegjin e funksionit. Ligji i statusit të gjyqtarëve (nr. 96/2016) përcakton qartë që paga e gjyqtarit vendoset mbi bazën e funksionit dhe pozitës, por në mënyrë të rregulluar, transparente dhe të qëndrueshme jo sipas kërkesave të përsëritura të vetë gjyqtarëve.
Fakti që kjo është hera e dytë brenda tre viteve kur gjyqtarët i drejtohen sistemit për rritje page e bën këtë kërkesë të pazakontë dhe alarmuese. Kërkesa e tyre nuk bazohet në ndryshime ligjore të qarta, as në analiza reale të kostos së jetesës, e as në ndonjë vendim të miratuar nga organet kompetente, siç janë qeveria ose Kuvendi. Për më tepër, ajo bie ndesh me frymën e ligjit që synon të garantojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, jo ta kthejë atë në një kastë me privilegje që i përcakton vetë përfitimet e veta.
Një element tjetër që nuk mund të lihet pa u theksuar është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka vënë në dukje herë pas here korrigjime teknike në përllogaritjen e pagave.
Por raportet e KLSH flasin për korrigjime të veçanta dhe jo për rritje të përgjithshme. Ky dallim është thelbësor, nga njëra anë ka korrigjim të gabimeve teknike, nga ana tjetër kemi një kërkesë për rritje të re page, e cila shkon përtej logjikës së korrigjimit dhe shfaq më shumë dritë-hije për abuzim me pushtetin.
Rritja e pagave e dyfishtë brenda një periudhe kaq të shkurtër bie ndesh edhe me realitetin ekonomik të vendit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e sektorit publik nuk ka parë rritje të pagave në këtë nivel, gjyqtarët dalin në pah si përjashtim i pajustifikuar, duke ngritur dyshime të arsyeshme për standarde të dyfishta. Ky disproporcion jo vetëm që është i padrejtë, por edhe minon besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Si mundet që ata që kanë misionin për të ruajtur barazinë para ligjit, kërkojnë vetë privilegje të veçanta pa asnjë bazë të fortë?
Më e rrezikshmja është se kjo praktikë krijon precedent të rrezikshëm. Kur vetë gjyqtarët janë palë kërkuese dhe interpretues të ligjit që u jep atyre paga më të larta, shfaqet një konflikt i hapur interesi. Për më tepër, kjo përbën një goditje serioze ndaj moralit të sistemit të drejtësisë sepse drejtësia nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë një “kompani” që kërkon përfitime për anëtarët e saj, por një institucion i shërbimit publik.
Në këtë kontekst, gazetaria ka detyrimin të hedhë dritë mbi këtë kërkesë dhe të analizojë me kujdes jo vetëm bazën ligjore, por edhe efektet e mundshme sociale dhe financiare.
Rritja e pagës së gjyqtarëve nuk është çështje që duhet parë thjesht si një numër apo një rregullim tekniko-buxhetor; është një test i rëndësishëm për seriozitetin e institucioneve dhe për integritetin e sistemit të drejtësisë.
Në fund të ditës, transparenca dhe përgjegjshmëria janë vlerat që duhet të udhëheqin çdo kërkesë për ndryshim page.
Çdo hap i ndërmarrë pa këto dy parime i dërgon publikut një mesazh të rrezikshëm, se drejtësia nuk funksionon për të gjithë njësoj, por vetëm për ata që janë në gjendje ta përdorin ligjin për interesat e tyre.
Dhe ky është një luks që një shoqëri demokratike nuk mund ta përballojë.
Lajmi i punuar nga gazetari Hermes Kafexhiu