Përplasja verbale mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe deputetit britanik Nigel Farage, ka nxjerrë në pah një tjetër episod të narrativës post-Brexit, ku populizmi mediatik përpiqet të errësojë realitetin me statistika të trilluara.
Gjithçka nisi pas një interviste të Ramës për The Guardian, ku ai vlerësoi se Britania post-Brexit është zhytur në një “vend të errët”, për shkak të gjuhës ekstreme ndaj emigracionit.
Sipas Kryeministrit shqiptar, 80% e diskursit publik në Britani sot do të ishte i papranueshëm vetëm pak vite më parë një alarm mbi mënyrën se si po abuzohet me të vërtetën për përfitime politike.
Si përgjigje ndaj kësaj deklarate, Nigel Farage, një nga ideatorët e Brexit-it dhe aktualisht deputet, u hodh në sulm me një deklaratë bombastike në GB News:
“Një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg,” tha ai, duke i kërkuar Ramës t’i marrë të gjithë “mbrapsht nesër”.
Një akuzë që u ngjit shpejt në faqet e tabloidëve, por që u rrëzua po aq shpejt nga faktet.
Edi Rama reagoi menjëherë, duke e sfiduar Farage për një përballje të hapur me të dhëna zyrtare. Ai e cilësoi deklaratën e tij një shembull klasik të “politikës së post-së-vërtetës”, ku frika dhe tronditja zëvendësojnë të vërtetën.
Rama vuri në dispozicion një bast të qartë:
Nëse del që vërtet 1 në 50 shqiptarë në MB është në burg, ai do t’i marrë të gjithë vetë në Shqipëri. Por nëse kjo shifër del e sajuar, atëherë Farage të vijë në Shqipëri dhe të përballet me realitetin që ai refuzon ta njohë, një vend i sigurt, mikpritës, dhe me një diasporë që në pjesën dërrmuese është e ndershme dhe punëtore.
Kryeministri Rama vuri në dukje se edhe nëse merret për bazë çdo shqiptar i ndaluar në burgjet britanike shumë prej të cilëve ndodhen atje për shkak të ligjeve të tejkaluara të imigracionit dhe jo për krime të rënda shkalla e përfaqësimit të tyre në burgje nuk kalon atë të popullsisë britanike. Madje, në disa raste, ajo është më e ulët.
Kjo është diçka që shifrat e zyrave britanike të statistikave e konfirmojnë vazhdimisht por që rrallë përmendet në mediat që përhapin sensacionalizëm.
Ndërkohë që Farage shfaqet si mbrojtës i rregullit dhe sigurisë, vetë përdorimi i statistikave të pavërteta e ekspozon si një përfaqësues të politikës së frikës, ku etiketimi i një kombi të tërë si “problem kriminal” bëhet me lehtësi të frikshme. Dhe ironikisht, ai që akuzon për hipokrizi, është po ai që injoron rolin e qeverisë britanike në çështjet e emigracionit dhe negociatat që vetë Rama i ka bërë me vende si Italia, për të ndihmuar në menaxhimin e emigracionit illegal, pa pasur kurrë një ofertë bashkëpunimi nga vetë Britania.
Në vend të përballjes me realitetin, Farage zgjodhi rrugën e njollosjes së shqiptarëve në mënyrë të papërgjegjshme. Por këtë herë, përballë nuk gjeti një politikan që e injoron, por një Kryeministër që i përgjigjet, fakte dhe një ftesë të sinqertë për dialog.
Me humor, vendosmëri dhe një thirrje për të ndalur gjuhën e urrejtjes, Rama e mbyll mesazhin e tij me një ftesë personale për Farage, nëse shifrat nuk të mbështesin, ejani në Shqipëri, për të parë me sytë tuaj një realitet krejt ndryshe nga ai që përpiqeni t’u shisni britanikëve. Dhe, ndoshta, për të mësuar si të flitet me dinjitet për njerëz të zakonshëm që meritojnë më shumë se një paragjykim tabloid./Lexo.al