Mesditën e sotme, një zjarr i fuqishëm përfshiu fushën e mbetjeve në periferi të qytetit të Vlorës, duke krijuar një re të dendur tymi që përhapi shqetësim te banorët e lagjeve përreth, duke mbuluar edhe zonën e Lungomares.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, në një reagim të menjëhershëm, shprehu shqetësimin e tij për këtë situatë që po përsëritet dhe e cilësoi zjarrvënien si akt të papranueshëm, qoftë si rezultat i qëllimshëm apo papërgjegjshmërisë njerëzore. Ai njoftoi se bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ngritur kallëzim penal ndaj të gjithë përgjegjësve institucionalë dhe atyre që nuk po zbatojnë detyrat për parandalimin e incidenteve të tilla.
“Ne nuk do të tolerojmë më asnjë dëm që cenon mjedisin dhe imazhin e qytetit tonë, veçanërisht në prag të sezonit turistik, që është jetik për ekonominë lokale,” theksoi Dredha. Ai siguroi banorët dhe turistët se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shuar zjarret dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.