Në komunikimin javor me qytetarët “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama bëri publike një nismë të re që synon të vendosë rend në një nga plagët më të mëdha urbane të Tiranës: zaptimin e hapësirave publike në lagje dhe kthimin e tyre në zona të kontrolluara në mënyrë arbitrare nga individë privatë. Fjalët e Ramës ishin të drejtpërdrejta dhe pa ekuivok: “Nuk mund të kesh një pronë dhe ta përdorësh si të duash, duke i vendosur trarë qytetarëve që jetojnë në një bllok banimi”.
Plani i ri i pastrimit, sipas Ramës, do të zbatohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe do të shtrihet në të gjitha lagjet e kryeqytetit, me qëllim eliminimin e çdo forme zaptimi të hapësirave të përbashkëta. Fokus i veçantë do t’u jepet praktikave abuzive si vendosja e trarëve për parkim, dhënia e biletave për mjetet që hyjnë në zona banimi dhe kontrolli informal i rrugëve e trotuareve nga persona privatë që pretendojnë pronësi.
Prej vitesh, Tirana ka qenë dëshmitare e një fenomeni që ka rrënjosur ndjesinë e padrejtësisë në jetën e përditshme të qytetarëve: individë që vendosin barriera në hyrje pallatesh, bllokojnë rrugica, kontrollojnë parkime dhe i shesin si pronë private. Shpesh, kjo ndodh në zona ku të gjithë jetojnë e bashkëjetojnë, ku prona kolektive është thelb i funksionimit urban. Ky është një abuzim i hapur, që tashmë nuk do të tolerohet më.
Kryeministri theksoi se e drejta e pronës nuk është absolute kur cënon të drejtën e përbashkët. “Shumë prej jush kërkoni miniparqe, dhe me të drejtë. Por kur shihni që nuk ndërtohet një park aty ku do të donit, kujtoni që shpesh ato hapësira janë pronë private. Ne nuk mund t’i marrim me forcë, por as nuk mund të lejojmë që të përdoren në dëm të komunitetit”, tha Rama.
Plani i ri vjen si vazhdimësi e një sërë nismash të ndërmarra gjatë viteve të fundit për të përmirësuar jetën urbane në kryeqytet. Janë rehabilituar hapësira publike si Parku i Madh i Liqenit, Kalaja e Tiranës, Pazari i Ri, sheshe lagjesh dhe blloqe të dikurshme të lëna në harresë. Janë ndërtuar kënde lodrash për fëmijë, fusha sportive për të rinjtë, dhe janë hapur zona të reja të gjelbra në të gjitha njësitë administrative të Tiranës. Në të njëjtën kohë, është ndërhyrë për lirimin e trotuareve nga kioskat e paligjshme dhe janë nisur projekte për parkime nëntokësore dhe parkingje publike me pagesë, me qëllim zbutjen e presionit mbi zonat e banimit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre investimeve, problemi i trarëve të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe i zaptimit të hapësirave të përbashkëta ka mbetur një plagë e hapur. Ai nuk është vetëm çështje estetike apo infrastrukturë, por prekje e drejtpërdrejtë e jetës kolektive dhe funksionimit të qytetit.
Kjo është një thirrje për ndërgjegjësim, por edhe një paralajmërim i qartë: qyteti nuk është pronë private. Qyteti është bashkëjetesë, është rregull, dhe mbi të gjitha është e drejtë e përbashkët./Lexo.al