Fortlumturi Joan Pelushi, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, përmes një interviste te “Shqiptarja” na jep shumë përgjigje të vlefshme për jetën, për bashkëjetesën mes nesh, për bashkëjetesën në Ballkan e më gjerë. Në hyrje të kësaj interviste kemi shkëputur disa citime, por në të vërtetë, e gjithë intervista është mbushur plot me mesazhe që mund të ruhen si pilula për një jetë më harmonike dhe më të mirë për cilindo, duke krijuar një të përbashkët paqësore. Ja disa:
1.“Hiqja jetës gëzimin, dhe jeta e njeriut do të thahet. Besoj se të gjithë njerëzit duan gëzim në jetën e tyre”.
2.“Fatkeqësisht, ne jetojmë sot në një kohë kur njeriu e ka humbur nocionin e qëllimit të vërtetë të ekzistencës, duke u bërë qëllime mijëra gjëra të parëndësishme. Nga të gjitha qytetërimet që kanë ekzistuar në historinë botërore vetëm ky i sotmi nuk ka më një përgjigje për pyetjen bazike të jetës….”
3.“…Duke mos pasur përgjigje rreth kësaj pyetjeje jeta jonë po çoroditet dhe duke u çoroditur po gjymtohet dhe, nëse ne nuk kemi më as pyetje, do të thotë që ne po humbasim njerishmërinë tonë, thelbin e asaj që e bën njeriun njeri…”.
4.“…Shpeshherë shohim shumë konflikte, sharje, shpifje kundër njëri-tjetrit dhe mosrespektim të dinjitetit. Këto fenomene shihen kudo në media, në bisedat private dhe publike. Besoj që kjo e dëmton në thelb shoqërinë…”
5.“…Pa dyshim, si në gjithë vendet e botës, edhe në Shqipëri, ka njerëz me shpirt të artë. Por, siç thotë proverbi italian: I miri është, por nuk bën zhurmë. Ata që kanë shpirt të artë kontribuojnë në shoqëri gjithmonë pa zhurmë. Të këqijtë bëjnë shumë zhurmë dhe krijohet përshtypja sikur nuk ka të mirë. Por e mira gjithmonë ekziston dhe nuk mund të zhduket kurrë. Gjithmonë do të gjenden disa shpirtra të ndritur për të përhapur dritë, sidomos në kohë kur ka shumë errësirë…”.
6.“…Besoj se tani është koha që të gjithë popujt e Ballkanit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nëse pranohen gabimet që janë bërë gjatë historisë, pajtimi mund të vijë më shpejt. Pajtimi në gjithë Ballkanin do të ndihmonte të gjithë rajonin…”
7.”… Është detyra e elitave të vendeve të Ballkanit të punojnë për më të mirën, për bashkëpunimin dhe për paqen. Duke qenë në paqe, bashkëpunim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, ka shumë mundësi që vendet tona të zhvillohen akoma më shumë…”
Por si mund të jetohet në ditët tona, në këtë epokë moderne me gëzim? Si është shëndeti shpirtëror i shqiptarëve, i të rinjve? Si jemi ne me fqinjët dhe si është Ballkani në Botën që përherë bëhet më globale e ku nuk mungojnë konfliktet, varfëria dhe urrejtja? Në këtë mënyrë, ndërsa me hapa të lehtë, me zë të ulët, me fjali të qarta të një shqipeje të rëndësishme, Fortlumturi Joani po merr nën kujdes të gjithë besimtarët ortodoksë të Shqipërisë, ne të tjerët, po përpiqemi ta njohim më mirë. Nuk është tashmë mister që i ndjeri Anastas na la të befasuar: Të papërgatitur ta njihnim mirë vetë atë, të papërgatitur të njihnim mirë atë qëndisje që i kishte bërë në 30 e më shumë vite rimëkëmbjes dhe ringjalljes së besimit dhe strukturave të Komunitetit Ortodoks në Shqipëri, të papërgatitur ta dinim me kohë se rreth tij, ai greku që e patëm kujtuar se kishte për zemër vetëm “madhështinë e Greqisë” mblodhi, mësoi e përgatiti si pasues djem shqiptarë, të cilëve u la amanet të gjejnë e të nxjerrin në dritë “shpirtin e artë” që me siguri ka strehë edhe në Shqipëri. Kemi sot mes nesh një komunitet të Kishës Ortodokse Auteqefale shqiptare të konsoliduar dhe një Kryepeshkop, ashtu siç e donim: shqiptar.
Me Fortlumturi Joan Pelushin do të jetë një rrugë e gjatë njohjeje reciproke ku durimi, përkushtimi, serioziteti, lutja, besimi, do të shoqërojnë besimtarët, por edhe Kishën Autoqefale të Shqipërisë të drejtuar tashmë prej kësaj pranvere 2025 prej tij. Ndërkohë, neve si gazetarë, na takon tua prezantojmë lexuesve bashkëatdhetarë si Fortlumturinë Joan, me të gjitha ngjyrat që përbëjnë aureolën e një personaliteti të tillë. Është një “investigim shpirtëror” që urojmë të jetë një dritë e ndezur për të gjithë.
INTERVISTA
Fortlumturi, a po kërkojnë sot shqiptarët përherë e më shumë mundësi përmirësimi për shpirtin? Çfarë po ndodh në shoqërinë tonë? Ç’ishin për ne shqiptarët Hirësi Anastasi dhe Papa Françesku, dy liderë shpirtëtorë të besimit të krishterë që na lanë në këtë fillimvit?
“Largimi i Kryepeshkopit Anastas ishte një humbje e madhe për gjithë Kishën Ortodokse në Shqipëri. Roli i tij në rindërtimin e Kishës Ortodokse, si në infrastrukturën fizike, ashtu edhe në atë shpirtërore ishte i pashembullt. Por, ndonëse kemi humbur një njeri të madh ne kemi fituar një zë të fuqishëm pranë Perëndisë për kishën tonë. Po ashtu, edhe ndarja nga kjo jetë e Papa Françeskut ishte një humbje e madhe për komunitetin katolik dhe largimi i njerëzve të mëdhenj është gjithmonë humbje për të gjithë. Papa Françesku kontribuoi shumë në përkujdesjen ndaj të varfërve dhe te margjinalizuarve, në dialogun ndërfetar dhe e vlerësoi shumë harmoninë ndërmjet komuniteteve fetare në Shqipëri. Por, njerëzit e mëdhenj nuk largohen. Shembuj e tyre na ndihmojnë vazhdimisht të përmirësohemi shpirtërisht. Është e vërtetë që kemi shumë besimtarë të rinj dhe nga përvoja që kam pasur me të rinjtë, shoh që ata po kërkojnë udhëheqje shpirtërore, për t’u orientuar në botën moderne plot sfida të ndryshme. Shumë prej tyre nuk mjaftohen vetëm që të përmirësojnë jetën materiale, por po kërkojnë gjithashtu edhe një dimension shpirtëror në jetën e tyre, sepse për të qenë një njeri i plotë, ai ka nevojë të ushqehet si trupërisht, ashtu edhe shpirtërisht. Njeriu është një qenie psikosomatike. Një vuajtje e madhe trupore mund të sjellë dëshpërim shpirtëror. Një dëshpërim shpirtëror mund të shkaktojë një sëmundje fizike. Ndryshimet shpirtërore ndoshta nuk dallohen shumë nga jashtë, sepse shumë gjëra ndodhin në heshtje, në jetën shpirtërore të secilit, por ato janë vendimtare për një jetë të plotë. Njeriu është gjithashtu një qenie transhendentale. Ai kërkon vazhdimisht diçka më të thellë. Ai nuk është thjesht një qenie vegjetative, që vetëm përpiqet të mbijetojë, por një qenie e vetëdijshme, që ka një qëllim të lartë në ekzistencën e tij. Duke parë kaq shumë të rinj në këtë kërkim shpirtëror mendoj se ka vend për shpresë“.
Nga gjithë fjalimet e mbajtura në Fronëzimin Tuaj, po veçoj përshendetjen e të dërguarit të Patriarkanës së Kostandinopojës, Emanueli. Patriarkana Ortodokse e konsideron “rrëfimin e jetës Suaj të ndërthurur thellësisht me mozaikun e gjallë të Kishës”, “Rrugëtimin tuaj, unik”, dhe “Kishën Autoqefale të drejtuar prej Jush tashmë pjesë të një harmonie të pasur dhe simfonike, një bashkërendimi të mrekullueshëm dallimesh, ku shumëzëshmëria nuk e prish, por e pasuron tërësinë…”. Atëherë Fortlumturi, në një botë që sa vjen e ndahet, sa vjen e nuk e pranon të ndryshmen, a jemi në një epokë të re, ndoshta të panjohur për ne të tjerët në rrugëtimin e besimit dhe në Kishën tonë Autoqefale?
“Shqipëria është një vend unik. Prandaj edhe shqiptarët dhe rrjedhat e jetës së njerëzve që jetojnë këtu janë unike. Kisha Ortodokse në Shqipëri ka një mozaik të gjallë. Ne nuk mund të kemi asnjëherë një kishë hipotetike. Kemi një kishë me njerëzit që jetojnë në këtë këtë vend, me aspiratat, problemet dhe dëshirat e tyre në këtë kohë. Njerëzit nuk janë njësoj. Për më tepër, ata nuk janë krijuar si robotë. Secili është krijuar me veçantinë e vet. Qëllimi kryesor i kishës nuk është uniformiteti, por uniteti. Diktaturat kanë pasur gjithmonë si qëllim të krijojnë uniformitet. Në kohën e sotme ekziston rreziku i një lloj uniformiteti shpirtëror, një kulturë që shkatërron kulturat e veçanta. Kjo e humbet njeriun në identitetin e tij. Secili njeri është krijuar i veçantë dhe duhet ruajtur identiteti i çdo njeriu, i çdo kombi dhe e çdo kulture. Veçantia e gjithsecilit na pasuron dhe na bën më shumë njerëzorë. Uniteti, jo uniformiteti, është ai që bashkon njerëzimin”.
U shprehët pak kohë më parë, në një prej meshave tuaja, se shpirti ynë nuk është në kohën e tij më të mirë. Ka vite që shpreheni i shqetësuar, si për çështjet e luftrave, si për çështje të pabarazisë, paqes, varfërisë… Si është gjendja shpirtërore e shqiptarëve në këto vite? Çfarë vini re për t’u përgëzuar, por edhe për t’u korrigjuar apo alarmuar mes nesh?
“Ne po jetojmë në një kohë të vështirë, ku e gjithë bota është mbërthyer nga një krizë ekonomike, e shkaktuar nga lakmia e njerëzve dhe papërgjeshmëria e drejtuesve. Madje në themel kriza është etike dhe morale, d.m.th. shpirtërore, pasojat e saj janë financiare dhe ekonomike. Lakmia për pasuri helmon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe mënyrat e pasurimit, që shtrembërojnë drejtësinë dhe dënojnë punën e ndershme, po e shkatërrojnë shoqërinë. “Në një vend të qeverisur mirë të jesh i varfër është turp – shkruan Konfuci – ndërsa në një vend të qeverisur keq të jesh i pasur është turp.”
Në botë ka shumë konflikte, luftëra, varfëri, padrejtësi dhe mungesë paqeje. Strukturat socio-ekonomike që i mbajnë njerëzit në varfëri janë të padrejta dhe kërkojnë përmirësim. Por, përmirësimi nuk mund të ndodhë, nëse nuk ekziston një jetë shpirtërore, e cila krijon dhe i mban vlerat etike, pa të cilat nuk mund të përmirësohen as strukturat socio-ekonomike.
Prandaj, ndonëse prioriteti i Kishës ka qenë gjithmonë Ungjilli i Mbretërisë së Perëndisë, ajo e kupton këtë Ungjill të Mbretërisë të rëndësishëm edhe në këtë jetë. Prandaj është përpjekur për të ruajtur balancën, pa kundërvënie dhe pa zgjedhur njërin dhe neglizhuar tjetrin, ndërmjet Ungjillit të Mbretërisë, ku përfshihet vepra pastorale për shpëtimin e njeriut dhe Ungjillit Social, ku përfshihet ushqyerja e të varfërve, kujdesi shëndetësor dhe arsimor dhe mbrojtja e të dobëtëve, sepse të dy aspektet janë të rëndësishëm dhe të ndërlidhur.
Për tu përgëzuar është rritja e interesimit nga besimtarët për njerëzit në nevojë. Në Korçë ne kemi një mensë, e cila funksionon prej 27 vitesh, ku përpiqemi ti sigurojmë ushqim shumë njerëzve në nevojë. Në vitet e para ushqimi për ta sigurohej kryesisht nga ndihmat që vinin nga jashtë. Ndërsa këto dhjetë vitet e fundit nga burimet e vendit. Shumë besimtarë të thjeshtë, nxënës shkollash etj., kontribuojnë për të ndihmuar ata që nuk kanë asgjë. Gjithashtu, shoh një rritje edhe nga disa bamirës vendas. Këtë gjë po shoh edhe në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit tonë. Kjo më gëzon, sepse të gjithë duhet të kemi ndjeshmërinë për nevojtarët. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona. Ghithashtu, nga përvoja ime, kam vënë re se më e rëndësishme se ushqimi është ruajtja e dinjitetit të tyre. Dhurimi duhet bërë gjithmonë me respekt dhe dashuri, pa lënduar dinjitetin e askujt”.
Në vitet e fundit para rënies së diktaturës dhe të izolimit të ashpër komunist, keni punuar në Spitalin Psikiatrik në Tiranë ku ishit në kontakt me shpirtra e mendje të trazuara të atyre kohëve të vështira, ashtu siç jeni sot dëshmitar dhe kujdestar i ortodoksëve shqiptarë në vitet e demokracisë. Kush Ju njohu atëherë dëshmon se harxhonit rrogën tuaj për të ndihmuar të sëmurët, i morët në shtëpi kur trazirat filluan. Janë dy kohë të ndryshme, por a mund të na bëni një përshkrim të evoluimit tonë shpirtëror si vëzhgues i vëmendshëm?
“Kam punuar disa vite në Spitalin Psikiatrik. Ka qenë një përvojë shumë e thellë, por shpesh edhe shumë e trishtuar. Është e vështirë kur përballesh me një sëmundje të rëndë, e cila krijon probleme të mëdha për vetë personin, për familjarët dhe për rrethin e tij. Kjo na bën të mendojmë më thellë mbi kuptimin e jetës sonë. Na bën të reflektojmë për dashurinë që duhet të kemi për njëri-tjetrin. Duhet të përqendrohemi më shumë në ndihmën ndaj njerëzve që nuk mund të ndihmojnë veten e tyre. Ne nuk mund të jemi mirë kur të tjerët janë në gjendje të vështirë. Është e pamundur për një qenie njerëzore të ndihet mirë kur të tjerët vuajnë. Nëse dikush është indifferent, ose akoma më keq, kur ndihet mirë ndërsa të tjerët vuajnë, kjo tregon një devijim të madh të natyrës njerëzore.
Çdo kohë ka problemet e veta. Në të kaluarën, njerëzit ndoshta nuk kishin shumë gjëra materiale, por kishin një lidhje më të fortë me njëri-tjetrin. Nëse dikush ishte në spital, familjarët, kushërinjtë dhe miqtë shkonin për ta ndihmuar dhe vizituar. Sot, ndoshta shumë njerëz kanë më shumë gjëra materiale, por ekziston një ndarjeje nga njëri-tjetri. Ka vetmi dhe egoizëm. Sa më shumë njerëzit grumbullojnë nga jashtë, aq më shumë varfërohen nga brenda. Pasuria më e madhe mbetet gjithmonë pasuria shpirtërore. Ajo është e vetmja pasuri që mund ti japë njeriut jetë të vërtetë, si në këtë botë, ashtu edhe në atë tjetrën. Njeriu është krijuar jo si një individ, por si një person që jeton në një komunitet, domethënë si një individ në lidhje me personat e tjerë. Ai nuk mund ta përmbushë i vetmuar dhe i veçuar qëllimin e jetës së tij. Duke qenë pra, qenie komunitare, ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe jetët tona nuk mund të jenë të ndara, sepse një jetë egocentrike shkatërron si veten e saj ashtu edhe të tjerët. Prandaj është thelbësore për çdo njeri që gjatë gjithë jetës së tij të mendojë, të jetojë dhe të veprojë, jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë njerëzit. Sepse vetëm duke i ndihmuar të tjerët ne mund të ndihmojmë realisht veten tonë”.
Si është sot një besimtar shqiptar ortodoks? Çfarë kërkon ai nga Kisha dhe çfarë aktivitetesh bëni ju që të mbani afër të gjithë: të moshuar, por edhe të rinj? A ndjeni një afrim të tyre me Kishën dhe lutjen sot?
“Ndonëse çdo vend ka veçantitë e tij, përsëri edhe në vendin tonë një besimtar si çdo njeri në botë, po përballet me problemet e kohës. Një besimtar ortodoks sot kërkon përgjigje për jetën moderne në dritën e traditës së lashtë. Njerëzit kanë pyetje dhe mendoj se pyetja kryesore është: Cili është qëllimi i ekzistencës? Fatkeqësisht, ne jetojmë sot në një kohë kur njeriu e ka humbur nocionin e qëllimit të vërtetë të ekzistencës, duke u bërë qëllime mijëra gjëra të parëndësishme. Nga të gjitha qytetërimet që kanë ekzistuar në historinë botërore vetëm ky i sotmi nuk ka më një përgjigje për pyetjen bazike të jetës. Qytetërimet e mëparshme në forma të ndryshme i përgjigjeshin kësaj pyetje. Madje ato ishin formuar nga mënyra sesi i përgjigjeshin asaj. Ndërsa sot ne jemi para një fakti tronditës. Duke mos pasur përgjigje rreth kësaj pyetjeje jeta jonë po çoroditet dhe duke u çoroditur po gjymtohet dhe, nëse ne nuk kemi më as pyetje, do të thotë që ne po humbasim njerishmërinë tonë, thelbin e asaj që e bën njeriun njeri.
Kisha duhet të jetë një vend ku ata mund të gjejnë atë që po kërkojnë. Prandaj jemi përpjekur që nëpërmjet programeve për të rinjtë, kampeve verore, grupeve të studimit biblik, katekizmit, predikimeve dhe literaturës fetare, si edhe veprimtarive artistike e kulturore, të përhapim vlerat shpirtërore, të cilat, unë mendoj, do e ndriçojnë udhëtimin e jetës së tyre për të gjetur atë që po kërkojnë. Formimi shpirtëror është një proces i vazhdueshëm, i cili e pasuron shpirtin dhe jep një kthjelltësi të mendjes, duke shpërndarë mjegullën e çoroditjes”.
Në fjalën tuaj në shtator 2024 në Paris, gjatë aktivitetit “Immaginare la Pace” organizuar nga Sant Egidio nën kujdesin e Presidentit Macron, folët shumë dhe për Dinjitetin Njerëzor. A respektohet dinjiteti njerëzor mes nesh në Shqipëri, a po kalohen kufij, a po respektojmë njëri-tjetrin apo kemi tejkaluar të patejkalueshmet si nga etika dhe nga morali? Ka vend për përmirësim?
“Dinjiteti për çdo person njerëzor, kushdo qoftë ai, është diçka shumë e rëndësishme. Dinjiteti njerëzor është parimi themelor i besimit të krishterë dhe themeli i një shoqërie të shëndetshme Në Bibël thuhet që çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë, sipas imazhit të Perëndisë. Kjo do të thotë se çdo njeri, pa përjashtim, i çdo origjine, ka marrë një dinjitet nga vetë Perëndia. Askush nuk ka të drejtë të dëmtojë, ose të përbuzë dinjitetin e çdo njeriu. Ne duhet ta respektojmë njëri-tjetrin. Shpeshherë shohim shumë konflikte, sharje, shpifje kundër njëri-tjetrit dhe mosrespektim të dinjitetit. Këto fenomene shihen kudo në media, në bisedat private dhe publike. Besoj që kjo e dëmton në thelb shoqërinë.
Gjithashtu, duhet të shqetësohemi për tragjedinë e trafikimit njerëzor, varfërinë ekstreme dhe diskriminimin dhe të zhvillojmë një dialog të thellë social për çështjet e drejtësisë dhe barazisë, për të mbrojtur dinjitetin e çdo personi, pavarësisht besimit, origjinës apo statusit.
Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë dhe këtë duhet ta theksojmë: dinjiteti është një dhuratë që i ka dhënë vetë Zoti. Është e drejta e çdo njeriu që të trajtohet në përputhje me dinjitetin e tij të lindur dhe shoqëria duhet të drejtohet drejt kësaj të mire. Ata që shtypin të varfërit tregojnë përbuzje ndaj Krijuesit të tyre, por ata që janë të mirë me nevojtarët e nderojnë Atë (Proverbat 14 :31). Të jesh i mirë nuk është mirë vetëm në nivelin etik, por është më tepër në nivelin ontologjik. Duke mos qenë të mirë, është vetë qenia jonë ajo që gjymtohet”.
“Perëndia nuk ka nevojë për Kupa të Arta, por për Shpirt të Artë”, citoni Ju shenjtët e ortodoksisë. A kemi mes nesh shpirtra të artë? Si dallohen? A njihni ju të tillë?
“Thënia e famshme e Shën Joan Gojartit që Perëndia nuk ka nevojë për kupat e arta, por për shpirtrat e artë, përcjell diçka shumë të rëndësishme. Ajo do të thotë që vlera nuk qëndron në materialin e kupës, por në përmbajtjen e saj. Nëse dikush ka një shpirt të artë, kjo cilësi transmetohet tek të gjithë të tjerët. Ndonëse në botë shpesh e mira shihet si e dobët, në fakt, ajo ka më shumë fuqi se çdo gjë tjetër. Epiteti më i përdorur për Zotin është që Ai është i mirë. Nëse ndizet një dritë në shpirtin e njeriut, jo vetëm që e ndriçon atë vetë, por ndriçon edhe të tjerët rreth tij. Pa dyshim, si në gjithë vendet e botës, edhe në Shqipëri, ka njerëz me shpirt të artë. Por, siç thotë proverbi italian: I miri është, por nuk bën zhurmë. Ata që kanë shpirt të artë kontribuojnë në shoqëri gjithmonë pa zhurmë. Të këqijtë bëjnë shumë zhurmë dhe krijohet përshtypja sikur nuk ka të mirë. Por e mira gjithmonë ekziston dhe nuk mund të zhduket kurrë. Gjithmonë do të gjenden disa shpirtra të ndritur për të përhapur dritë, sidomos në kohë kur ka shumë errësirë”.
Jetojmë në një vend të vogël, të kërcënuar në kohë të kohëve nga asgjësimi, pushtimi, zhdukja. Shohim fqinjët tanë me dyshim, ashtu siç nuk kursejmë edhe njëri-tjetrin. Kemi disa plagë të hapura ende në Kosovë, me Serbinë, Greqinë. Si mund të bashkëjetojmë në Ballkanin tonë sa më në paqë kur disa çështje të rëndësishme si ajo e Çamërisë apo Ligji i Luftës janë ende të hapura?
“Ballkani ka pasur një histori shumë të rëndë, me pushtime të vazhdueshme dhe luftëra të pandërprera. Padyshim që kjo ka krijuar armiqësi ndërmjet popujve të Ballkanit dhe është e kuptueshme që të jemi gjithmonë dyshues, si ndaj fqinjëve, ashtu edhe ndaj njëri-tjetrit. Një armiqësi shekullore nuk kapërcehet lehtë. Egoizmi dhe politikat e nxitura nga nacionalizmi ekstrem kanë krijuar tension të madh ndërmjet popujve. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta ndryshojmë këtë gjendje. Besoj se tani është koha që të gjithë popujt e Ballkanit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nëse pranohen gabimet që janë bërë gjatë historisë, pajtimi mund të vijë më shpejt. Pajtimi në gjithë Ballkanin do të ndihmonte të gjithë rajonin. Në planin global, Ballkani është një vend i vogël. Popullsia e tij në krahasim me botën është e vogël. Duke qenë të ndarë dhe të copëtuar, të gjithë mund të mbetemi të vegjël, të varfër dhe pa zhvillim të madh. Bashkëpunimi duhet të kërkohet nga të gjithë.
Është detyra e elitave të vendeve të Ballkanit të punojnë për më të mirën, për bashkëpunimin dhe për paqen. Duke qenë në paqe, bashkëpunim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, ka shumë mundësi që vendet tona të zhvillohen akoma më shumë. Dihet prej kohësh që në konkurrencën globale, edhe për vendet me 50-60 milionë banorë, është tashmë e vështirë. Ne jemi popuj të vegjël në numër, ndonëse me një histori dhe kulturë të pasur. Për ne është e domosdoshme të përpiqemi të krijojmë marrëdhënie shumë të mira me njeri-tjetrin, duke ruajtur identitetit kombëtar, por duke qenë të hapur ndaj botës dhe ndaj kontributeve pozitive. Izolimi dhe mendimi se mund të jemi të vetëmjaftueshëm, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mund të jetë një rrezik i madh për të gjithë ne”.
Lutem dhe shpresoj që vendi ynë i shumëvuajtur të ketë paqe e përparim dhe që Perëndia ta bekojë dhe ta ndriçojë!”
“Një jetë pa gëzim, është një jetë e gjymtuar”, shkëpus sërish një citim Tuajin të preferuar prej shenjtëve ortodoksë. Sa gëzim ka në jetën tonë sot? Sa do të duhej të kishte realisht dhe si përfundim: A mund ta quajmë si misionin Tuaj në Drejtimin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë pikërisht paqen, miqësinë, gëzimin dhe atë që Janullatosi i Shqipërisë e kishte me merak: “Dashurinë si Perëndi”? A është e mirësëardhur në Shqipërinë tonë Perëndia e dashurisë?
“Një jetë pa gëzim, në thelb, është një jetë e gjymtuar. E kam thënë shpeshherë këtë, sepse është shumë e rëndësishme. Gëzimi, në kuptimin më të thellë, nuk është çështje temperamenti apo karakteri. Gëzimi është një dhuratë që vjen nga Zoti, kur Ai është. Çfarë do të thotë që Zoti të jetë i pranishëm në jetën tonë? Ai është i pranishëm në jetën tonë, kur jeta jonë drejtohet nga vlerat që vijnë nga mësimi i Tij. Vlerat janë dashuria, paqja, mirësia, drejtësia etj. Nga këto vlera duhet të motivohen veprimet tona, sepse dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, por edhe veprim. Sakrificat vijnë gjithmonë nga dashuria. Për njerëzit që i duam, gjithmonë bëjmë sakrifica dhe këto sakrifica, sado që mund të duket si paradoks, sjellin gëzim në jetën tonë. Bota e sotme dallohet nga mungesa e gëzimit, sepse mungon dashuria, mëshira, drejtësia dhe paqja. Këto janë ato që e mbajnë të gjallë jetën.
Emri i Zotit është dashuri. Ai që ka dashuri qëndron në Zotin, thotë Ungjilli. Dhe ai që qëndron në dashuri është në Perëndinë. Besimi na ndihmon shumë për të kultivuar këtë jetë, për të dashur njerëzit e tjerë. Një jetë që nuk ka dashuri dhe sakrificë, nuk ka gëzim. Ky është një mision i kishës: të përhapin paqen, të ndihmojnë të varfrit dhe të kultivojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet njerëzve. Ne jemi dëshmitarë që sot në botë gëzimi është pakësuar. Njerëzit, jo vetëm në vendet e varfra, por edhe në vendet shumë të pasura, jetojnë me pak gëzim. Gëzimi është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës. Ekziston një proverb në krishterimin e hershëm që thotë se nuk ka shenjtor të trishtuar. Çdo njeri që ka besim te Perëndia dhe mbështetet te Zoti mund të ketë këtë gëzim. Ky gëzim i jep tharmin jetës. Hiqja jetës gëzimin, dhe jeta e njeriut do të thahet. Besoj se të gjithë njerëzit duan gëzim në jetën e tyre. Le ta pranojmë Perëndinë e dashurisë në zemrat tona dhe jeta jonë do të mbushet me gëzim”.
Faleminderit Fortlumturi!
Intervista nga Alba Malltezi, Shqiptarja.com