Vjen një moment kur gjithkush që ka një milion halle mbi kokë, nuk i bëhet të ngrihet nga krevati në mëngjes, duke e shtyrë ndonjëherë daljen nga rrobat e ngrohta me shprehjen ‘bëjë zot ëndërr’. Madje thjeshtë e vetëm nga hallet të plas dhe buza e sëmuresh me të vërtetë!
Kjo me sa duket e ka gjetur dhe Sali Berishën, i cili në këtë moshë tepër të thyer 81 vjeçare, në vend që të luajë me nipërit e mbesat, apo madje me stërnipërit e stërmbesat, teksa i këndojnë në kokë të ‘12 kumritë’ prej halleve të shumta, është i detyruar të mbajë në kurriz pesha tepër të rënda, të papërshtatshme për trupin dhe mendjen e drobitur të një njeriu të shkuar në moshë.
E themi këtë sepse Berisha është i detyruar të mendojë për të mbajtur mbi supe udhëheqjen e partisë me të madhe opozitare, PD-së, i duhet të ushtrojë presion ndaj SPAK që të mos e marrë atë dhe gjithë familjen për ta përplasur në burg për shkak të abuzimeve të shumta që kanë bërë me pushtetin, deri dhe korrupsion të përgjakshëm me humbje jetësh njerëzore, ia ka dalë me sukses në fakt në luftën kundër drejtësisë duke e bërë që të futet cepave dhe të mos guxojë ta pyesë për të gjitha çështjet që ka të hapura.
Por i duhet dhe të lëvizë në Bruksel për të nxirë Shqipërinë duke e akuzuar si ‘narkoshtet’ vetëm e vetëm që humbja e zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti të ‘gëlltitet’ sa më ëmbël nga mbështetësit e tij. Pasi vetë është i kënaqur me këtë rezultat që ka marrë, sepse ka nën hyqëm dhe i urdhëron me një ‘fishkëllimë’ 45 deputetë të PD. 5 deputetë janë të aleatëve!
Nuk i thonë pak vite, pasi PD dhe mbështetësit e saj kanë nisur vitin e 13-të në opozitë, për të plotësuar në fund të këtij mandati plot 16 vite që ‘presin thumba’ jashtë pushtetit, dhe me sa duken ‘bathët’, kanë ‘pronontuar’ dhe 8 vite të tjera po në opozitë. Me një fjalë sa të jetë gjallë Sali Berisha, i cili duket se do të ketë jetë të gjatë, për të keqen e PD dhe për të mirën e PS.
Por Berisha ka dhe halle të tjera! Vërtetë është vështirë t’ia qajë njeri hallet, pasi është zhytur vetë në këto probleme, thjeshtë dhe vetëm për të bërë në pleqëri plakun ‘sarhosh’ politik, në kërkim të thyerjes së rekordeve dhe mbi të gjitha në kërkim të asaj të shkrete vize për të udhëtuar përtej Atlantikut, pasi prej gati katër vitesh është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më vonë Britania e Madhe.
SHBA e shpalli familjarisht ‘non grata’ për korrupsioin madhor, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë, ndërsa Britania i shtoi dhe lidhjen me grupet kriminale. Pikërisht për ato bëma u ‘nominua’ Berisha nga aleatët tanë të mëdhenj pa asnjë të drejtë ‘amnistimi’, ndërsa tani vetë ai i përdor si akuza kundër Ramës, akuza këto pa rezultat.
Para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Berisha dhe mbështetësit e tij, të përfaqësuar nëpër panelet televizive me analistët e tij por dhe lidershipin demokrat, ‘bombarduan’ publikun 24 orë në 24 orë me lajme, që më pas rezuluan të rreme, për të krijuar idenë se Donald Trump ngrysej e gdhihej me Shqipërinë në mendje, heqjen e ‘non gratas’ së Berishës si ‘detyrë shtëpie’, sjelljen e PD në pushtet si dhe rrënimin e Edi Ramës.
Madje për kryemininistrin Rama hidhnin ‘lajme’ se do ta mbanin andej nga Amerika për ta izoluar në një burg në një nga ishujt e paqësorit, siç bënë aleatët e para 1900-tës me Napoleon Bonopartin, që e izoluan në fillim në ishullin e Elbës dhe pas arratisjes e luftës së 100 ditëve ku humbi në Vaterlo, u mbyll në burgun e vendosur në ishullin e Shën Elenës ku dhe u nda nga jeta i vetmuar dhe në varfëri, pa u parë as nga të afërmit e tij dhe pa u kthyer kurrë në atdhe, Francë.
Ndërsa mbështetësit e Berishës që venin e vinin nga Tirana në Uashington e anasjelltas, mbetet mister se ku i gjejnë lekët këta që vdesin për të luftuar varfërinë në Shqipëri, kishin hapur ‘manualet’ dhe deklaronin se amerikanët do ta merrnin Ramën me komando dhe do ta izolonin në një burg të largët në një ishull të largët që as në hartë nuk gjendej. Një fantazi e nivelit tepër të lartë, e cila u shoqërua dhe me pagesa të majme miliona dollarëshe për njerëzit afër presidentit amerikan Trump, të cilët do ‘të zhduknin nga faqja e dheut regjimin sorosian të Edi Ramës’.
Demokratët po jetonin në një realitet paralel ku mendonin se Donald Trump do të sillte fitoren në zgjedhjet e 11 majit për PD, përkundër kundërshtarit të tyre Edi Rama që kishte nisur një fushatë të fortë duke bindur shqiptarët për domosdoshmërinë e një mandati të fortë që do të anëtarësonte Shqipërinë në BE brenda vitit 2030. Diçka të prekshme për shqiptarët dhe që ngjiti shumë!
Ndërkohë që opozita vijonte të ‘bombardonte’ shqiptarët me idenë se me ardhjen e Trump në SHBA, në Shqipëri do të vinte vetë ndryshimi! Për këtë arsye, Berisha pajtoi nga përtej detit ish bashkëdrejtuesin e fushatës së Trump, Chris LaCivita, i cili e ka një çikë ‘dorën e rëndë’ në pagesën për organizimin e fushatave, dhe nuk ndahet pa 5 milionë dollarë. Berisha më shumë se sa organizator të fushatës e paraqiti si drejtues të opozitës në fushatë, anipse s’kishte asnjë lidhje me çfarë ndodhte në Shqipëri.
E pranoi dhe vetë i shkreti, përtej mundësisë së fitimit, i kishte mbetur dhe një farë njerzillëku, teksa deklaroi se kishte ardhur thjeshtë si i kontraktuar e aktor privat dhe jo përfaqësues i qeverisë amerikane. E tha disa herë, por dëgjonte Berisha nga ai vesh. Hajde e mbushja mendjen, pasi dhe këshilltarët nuk i bëjnë derman, i këshillon Berisha dhe ata!
Berisha ka të vërtetat e veta dhe vetëm ato beson. Dhe për këtë ai kishte bindur militantët, se vetëm nga përtej detit mund të vinte fitorja, anipse të gjitha sondazhet i jepnin PD dhe opozitës një rezultat rrënues sikurse ndodhi më 11 maj! Por ata besojnë vetëm të vërtetat e Doktorit! Për këtë arsye Berisha për të qënë sa më i besueshëm i ‘këputi’ dhe 6 milionë dollarë të tjera pagesë për një kompani lobimi, që të ndikonte për nxjerrjen e një vize sëpaku para zgjedhjeve për në SHBA. Qoftë dhe turistike, pasi për heqjen e ‘non gratës’ as që bëhej fjalë.
U munduan fort lobuesit e shkretë në Uashington, dhe përfundimisht Berisha arriti të shkëpusë një postim në Twitter, ku shpjegohej se kur një ‘non grata’ mund të marrë vizë për në SHBA. Gjëra që janë të fiksuara në faqen zyrtare të DASH, dhe jo të paguhen 6 milionë dollarë për këtë punë. Lek i shkuar dëm me një fjalë. Por që kishte një të mirë, e ngriti një çikë ‘sentimentin’ e mbështetësve të Berishës, të cilët u garantuan nga lideri i tyre historik se fitoren e kishin në xhep dhe vetëm finalizimi më 12 maj, me të dhënat e para të rezultatit të zgjedhjeve, mbetej! Madje Flamur Noka parashikonte një të ardhme të ‘shndritshme’ që në mëngjesin e 12 majit për Shqipërinë dhe shqiptarët nën qeverisjen e PD, e mbi të gjitha me Berishën kryeministër!
Rezultati i 11 majit dihet tashmë, s’ka nevojë për komente! E kishin paralajmëruar dhe sondazhet më parë humbjen rrënuese të opozitës. E kishte parashikuar dhe vetë Berisha, i cili renditi në listën e sigurtë të kandidatëve për deputetë, të gjithë besnikët e tij. PS dhe Edi Rama morën 83 mandate deputeti, ku bashkë me aleatin hipotetik PSD bëjnë gjithse 86 mandate, pra shumicën e cilësuar që miraton të gjitha ligjet e integrimit në BE, pa asnjë pengesë apo kërkesë për pazar nga Berisha. Kreu i PD mori 50 mandate, 45 partia që drejton dhe 5 aleatët e tij!
Shumë pak për opozitën, por tërësisht të mjaftueshëm për Berishën. I cili garantoi atë që donte: Do të vijojë të jetë kryetar i opozitës dhe ka në parlament një grusht besnikësh që t’i përdorë për hallet e tij ku dhe kur ta lypë nevoja. Për të thyer ndonjë karrige, për të bllokuar ndonjë foltore e mbi të gjitha për të ndezur ndonjë zjarr në Kuvend. Kaq i mjafton! Për të treguar se Doktori është gjallë, nuk ka vdekur! Politikisht themi!
Berisha një e dy dhe e mban frymën në Bruksel, bën rezoluta, i lexon ato vetë në takime me grupe partish, vjen në Shqipëri dhe i paraqet me vulë të huaj, duke nënvizuar se të djathtët, të qendrës apo dhe parti të tjera nuk i njohin zgjedhjet e organizuara nga Rama dhe ‘narkoshteti’ në Shqipëri. Pavarësisht se liderët dhe institucionet parlamentare, pra ata që marrin vendime kanë njohur fitoren e PS dhe kanë uruar Ramën. Por Berisha vijon të ‘mbahet’, derisa ‘zuri shtratin’.
Kreu i PD është i lodhur nga fushata në fakt dhe jo nga humbja rrënuese. Pasi nuk shpresonte as në këtë rezultat që arriti, të cilin thellë thellë e quan maksimal. Për vetë kushtet! Më shumë është rënduar për shkak se ka humbur mbi 10 milionë dollarë të hedhura për ta bërë sa më të lehtë humbjen e zgjedhjeve të 11 majit, dhe mbi të gjitha për të garantuar një vizë për SHBA. Gjë të cilën nuk e arriti në asnjë moment.
Për më tepër nuk mori asnjë sinjal nga administrata e Trump për heqjen e ‘non gratës’ ose së paku të krijonte idenë se po merreshin me këtë punë, sa për të mbajtur militantët me gajret deri në zgjedhjet e radhës, më 2027, se erdhën ato të shkreta, janë në prag. Por dhe për të qënë në rregull me mandatin e tij si kryetar, në krye të PD, pronë e tij dhe familjes. Jo se ia merr kush drejtimin e PD, madje as që e belbëzojnë një gjë të tillë në selinë e PD, as në mungesë të tij. Edhe ‘muret kanë veshë’ në PD!
Por sikurse ka ardhur situata askush nuk e ka mendjen tek Berisha. Trump dhe administrata e tij janë zënë me luftën Izrael-Iran, luftën Rusi-Ukrainë dhe mbi të gjitha administrata e Trump ka treguar se nuk e ka fare në ‘defter’ Ballkanin e jo më Berishën. Prandaj Berisha ka ‘lidhur kokën me shami’ dhe ka ‘zënë krevatin’, sepse ka paguar kot mbi 10 milionë dollarë për të lobuar, ndërsa situata është në të njejtën gjëndje si para zgjedhjeve. Më rëndë ndoshta. Të paktën kaq dollarë thonë koridoreve të PD, demokratët që janë të acaruar me LaCivitën e tërë të huajt që morën kaq shumë lekë, në vend që të paguhej sëpaku fushata e diasporës për PD!
Nuk themi se i dhimbsen paratë se ato nga paratë e shqiptarëve i ka. Nuk e beson asnjë njeri se ai ish elektricisti tropojan, kothere dhe pa brekë në bythë në SHBA, paska mbledhur miliona për të financuar PD dhe Berishën e për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA. Jo vetëm që s’ka lekë por tërë diaspora shqiptare në Amerikë, që nga viti 1990 e deri më tani nuk ka dhënë kokërr leku për asgjë në Shjqipëri.
S’janë mbledhur bashkë për të financuar ndonjë gjë as kur Shqipëria kishte nevojë në vitin 1991, kishte vetëm 6 ditë bukë sipas ish kryeministrit të atëhershën. Nuk ndihmoi as kur Berisha shkatërroi shtetin nga themelet më 1997 dhe as për ngjarje të tjera të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk u mblodhën as për të krijuar një fond investimi, qoftë dhe për të ndërtuar një godinë institucionale falas apo ndonjë gjë tjetër në favor të shqiptarëve.
Kemi dhe ne njerëz në SHBA, që jetojnë dhe punojnë atje prej shumë vitesh, por akush prej tyre nuk ka dalë përtej një dhurate simbolike sa herë që ka ardhur në Shqipëri. Jo që zgjidhë ‘qesen’ dhe të japë miliona dollarë, pavarësisht se ata dhe ne s’jemi njerëz të paqenë dhe nuk e duam njëri tjetrin, por kaq është mundësia financiare. Kështu, që dhe këto ‘lekët’ e këtij elektricistit tropojan që thuhet se ka hedhur për Berishën janë një risk më vete, pasi një ditë do të hetohen dhe do shohin se ai mezi shtyn muajin atje në SHBA. S’të falin institucionet në SHBA, e gjurmojnë lekun deri në ‘vrimë të miut’ sado vonë të shkojë! S’janë kot superfuqi!
I vetmi argëtim për Berishën mbetet kjo gara në PD për të qënë sa më afër tij, për të përçuar deklaratat e tij, dhe kur është me shëndet të lig. Gajaset kur sheh Albana Vokshin dhe Flamur Nokën se si zihen në Kuvend për të marrë fjalën, për të përdorur shprehjen e tij. Argëtohet akoma më shumë kur sheh këta drejtuesit vendorë se si përpiqen të argumentojnë ‘trenin bullgar’, si publikojnë videot dhe bëjnë si të bindur se Rama i ka vjedhur ditën e zgjedhjeve. Berisha argëtohet me bindjen e tyre se po ia ‘fusin Doktorit’ duke argumentuar dhe justifikuar humbjen. Madje Berisha bën sikur e ha këtë skenar, ndërsa qëndron si i ‘sëmurë’.
Berisha argëtohet akoma më shumë në këtë ‘betejën’ mes kandidatëve të PD për të hyrë në Kuvend, rinumërimet dhe akuzat ndaj numëruesve demokratë, të cilët paskan bërë ‘namin’ duke vjedhur vota nga një kandidat i PD tek tjetri. Berisha ka qënë i bindur, sikurse po e vertetojnë dhe rinumërimet, se nuk ka pasur tjetërsim votash më 11 maj. Thjeshtë akuzat i bën për të justifikuar humbjen e rëndë të PD, për të bërë pis procesin zgjedhor, por dhe pse është shumë i lig në vetëvete dhe nuk do asgjë në Shqipëri të ndërtuar për së mbari! Nuk do as integrimin e Shqipërisë në BE. Përpos atyre gjërave që ka bërë dhe bën vetë, por që janë të papërfillshme.
Berisha lëviz ndonjëherë dhe në ndonjë emison në ndonjë ‘podcast’, ku flet për fëmijërinë, rininë e hershme të ‘mbushur me aventura’ dhe deklaron gjëra vërtetë të pabesueshme për të gjithë ata që e njohin Doktorin. Berisha paska bërë ‘mëkate’ rinore. Hajde besoje këtë, kur dihet se ishte fati ai që e çoi të ishte pedagog te mjekësia dhe të njihej me të parën dhe të fundit femër në jetën e tij, studente të tij, me të cilën është i martuar, Lirie Ramën, tani Lirie Berisha! Dhe i kishte kaluar të 30-tat asokohe kur Berisha u njoh me të parën femër, apo pati të parën ‘aventurë’ me një femër. Të cilës, e besojmë, i qëndroi besnik për tërë jetën. Dikush thotë pa pamundësia!
Nuk e dimë çfarë ‘mëkatesh’ ka bërë në rini Berisha. Po prapë ai argëtohet me veten, pasi teksa jeton në një realitet komplet jetër, paralel me jetën reale, Berisha nis të argëtohet duke shpikur situata sikur kanë ndodhur, e duke i besuar dhe vetë madje, për të kaluar stresin, dhimbjen e humbjeve dhe të pamundësive të kohës së rinisë, të cilën ia kushtoi vetëm studimit por dhe partisë (PPSH). Ndoshta ato që lexon nëpër libra, e thotë shpesh se është një lexues i madh’ i përshtat në vetën e parë ato që lexon nëpër libra dhe e bind veten se i ka bërë vetë ai.
Këto ‘aventurat’ themi! Herë zë krevatin dhe herë deklaron se ‘kur isha i ri, bëja namin…’! Janë halle pleqërie këto, halle që nuk kanë lidhje me demokratët që do të qëndrojnë shumë gjatë në opozitë. Të paktë sa të jetë gjallë Berisha në krye të PD. Halle që duhej t’i kishte përmbledhur në një libër kujtimesh që në vitin 2013, dhe jo t’i ‘dorëzohej’ misionit për të vdekur në krye të PD!