Një valë reagimesh të zhurmshme ka shpërthyer në Tiranë pas publikimit të dy dokumenteve të brendshme të Komisionit Evropian që analizojnë ecurinë e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE.

Mediat kanë ngritur flamurin e alarmit për “kërcënim ndaj institucioneve”, “dështim të reformës në drejtësi” dhe “kapje të shtetit”, duke u përpjekur të shesin një përshkrim teknik si një akt ndëshkimi politik. Por çfarë thotë realisht Brukseli?

E vërteta është më pak dramatikem, raportet janë dokumente pune, pra jo përfundimtare dhe aspak zyrtare, pjesë e zakonshme e procesit të monitorimit për çdo vend kandidat. Dhe Shqipëria nuk është përjashtim. Në fakt, këto dokumente janë sinjale për përmirësim, jo verdikte për ndëshkim. Ndaj, interpretimet e zëshme të deputetes Jorida Tabaku apo analistit Zef Preçi tingëllojnë më shumë si deklarata politike të destinuara për tituj portalesh, sesa si lexime të qeta të realitetit.

Po, Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime. Dhe kjo është normale. BE nuk kërkon perfeksion, por vullnet të matshëm për reforma, veçanërisht në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve. Të gjithë vendet që hapin kapitujt themelorë përballen me këtë lloj analize të thelluar. Të dramatizosh faktin se përmendet fjala “korrupsion” 31 herë, ndërkohë që i njëjti dokument njeh suksesin e SPAK, është të bësh politikë me terminologjinë e integrimit.

Madje, pjesa më e zhurmshme e debatit po përqendrohet te raportet për tendera apo përzgjedhjen e krerëve të institucioneve, të cilat përmenden si mangësi procedurale – jo si shkelje flagrante. Këto janë fusha ku Shqipëria, si shumë vende të tjera të rajonit, ka ende rrugë për të bërë. Por të ndërtosh një narrativë dështimi duke u kapur pas çdo fjale të raportit është të shfrytëzosh integrimin si armë kritike.

Në vend që të nxisin reflektim, këto dokumente janë shndërruar në platformë për përplasje politike. A thua se Brukseli ka ardhur për të dhënë nota, e jo për të kërkuar bashkëpunim. Ky është keqlexim që nuk e ndihmon Shqipërinë në procesin e saj. Përkundrazi, krijon një atmosferë të rreme paniku që shkon kundër frymës së vetë integrimit.

Sepse nëse ka një fakt që nuk mund të mohohet, është ky: Shqipëria ka hapur kapitujt më të ndjeshëm të negociatave. Dhe kjo nuk do të ndodhte nëse Brukseli do të kishte humbur besimin. Hapja e kapitujve themelorë nuk është një formalitet. Është një tregues i qartë se reformat kanë dhënë rezultat, pavarësisht sfidave që mbeten.

Ajo që draft raporti tha qartë është që institucionet e drejtësisë kanë probleme dhe topi i hedhur nga qeveria duket si arsye për të fshehur këtë kritikë.

Ndaj, në vend që të përdoren si pretekst për të ndërtuar kriza politike, këto dokumente duhet të lexohen për çfarë janë, udhërrëfyes për përmirësim. Integrimi nuk është betejë mes mazhorancës dhe opozitës, por një përpjekje kombëtare që kërkon maturi, bashkëpunim dhe jo pak durim. Kush e kthen në armë politike, nuk godet qeverinë. Godet të ardhmen evropiane të të gjithë shqiptarëve./Lexo.al