Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta kundër Unionit të Gjyqtarëve, që për herë të dytë i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar rritje pagash. Sipas Ramës, kjo është një praktikë “e padëgjuar në historinë e shteteve”, ku gjyqtarët i caktojnë vetes rrogën me vendim gjykate.
Ai kujton se kjo ndodhi një herë më 2022, kur Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Unionit për të lidhur pagën e tyre me atë të drejtorëve të lartë të administratës. Paga bazë u vendos atëherë në 156.000 lekë. Tani, pas rritjes së pagave të administratës në 2023, Unioni rikthehet me një tjetër kërkesë për rritje – kësaj here me një shtesë prej 700 eurosh.
“Republika nuk mund të qeveriset me vendime gjyqësore,” deklaron Rama, duke shtuar se heshtja e tij në vitin 2022 ishte për të ruajtur respektin institucional, por nuk do të ketë më tolerancë për “abuzime në emër të drejtësisë”.
Sipas tij, gjyqtarët e shohin si “privilegj të përjetshëm” faktin që u rritën pagat pas Reformës në Drejtësi, dhe tani duan që çdo rritje në administratë të përkthehet automatikisht në rritje të pagës së tyre, me vendim gjykate.
Rama e quan këtë një cënim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe një tallje me seriozitetin e shtetit. Ai bën thirrje që ky precedent të ndalet menjëherë dhe se mbështetja për sistemin e drejtësisë nuk do të thotë leje për të abuzuar me të.
REAGIMI I PLOTE I RAMES:
Interesante!
Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!
Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!
Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.
Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!
Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë.