Nga Andi Bushati/

Veshja e Berishës me uniformen e Interit dhe thirrja për mosnjohjen e humbjes ishte një gjetje sipërfaqësisht e bukur. Ashtu si skuadra e Milanos në finalen e Ligës së Kampioneve edhe ajo e ShQUP-it u mund thellë dhe doli me turp nga fusha e lojës.

Triumfi i fituesve ishte ngadhënjyes.

Pikërisht kjo ngjashmëri në rezultat u dha dorë taborëve të regjimit, të cilët kanë adoptuar parrullën e kryeministrit se “ky popull nuk ndryshon qeverinë pa ndryshuar më parë opozitën”, ta qesharakëzojnë Saliun si një humbës serial që nuk pranon dot realitetin e disfatave të veta.

Por, po u mendove pak për simbolikën e kësaj “gjetjeje” kupton dhe anën tjetër: atë, se sa shumë janë shumfishuar mediat, analistet, opozitarët fallco që e kanë shndërruar talljen, kritikën fajsimin e Saliut në burim jetese.

Ngaqe s’ kanë leje te hapin gojën për njeriun e gjithëfuqishëm që vendos për gjithçka në jetët tona, merren me nje kalë të ngordhur, impakti i të cilit mbi pensionet, taksat, gjobat, bursat, suvencionet, hipotekat, gjykatat është zero.

Ata që veshën Berishën si interist dhe qe imponojnë çdo ditë debatin nëse duhet të japë dorëheqjen apo jo, me siguri që po mos ekzistonte ai, do përmbytnin mediat dhe TV me pyetjet: a duhet ta mbajë fjalën Tik Llapaj dhe të japë dorheqjen??? A dështoi me turp Gon Shehaj, i cili premtoi se do të merrte një grup parlamentar? A e zhvlerësoi elektorati tezën e Arlind Qorit se jetojmë në një regjim oligarkik, pasi i dha vetëm 1 deputet nga 140 të mundëshëm?

Janë pikërisht të njëjtit që i hapën katër kanatë dyert e mediave dhe emisioneve të tyre për Bashën, po atij Luli, që kur ishte rival i Edi Ramës e etiketonin si spiunues të luftëtarëve të UÇK-së dhe të paguar nga Putini.

Ngaqë nuk gjejnë dot asnjë argument për të mburrur padronin e tyre real, kjo farë meskinësh, që s’flasin dot për gjëra më të mëdha, me vlerë dhe interes publik, sforcohen të bymehin çdo kauzë minore.

Këtë dëshmon dhe imazhi i veshjes së Berishës me simbolet e interistit. Ajo tregon se ata që e krijuan e shpërndanë dhe e botuan mbajnë nën xhaketë vulën e zhgryer të socialistit./Lapsi.al