Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Dr. Bujar Bukoshi, ish-kryeministri në ekzil i Kosovës dhe një nga figurat më të rëndësishme të skenës politike dhe shëndetësore të vendit.
Dr. Bukoshi ishte ndër themeluesit e institucioneve paralele shqiptare në vitet ’90 dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës më 1991 dhe për gati një dekadë punoi nga Gjermania për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe për të ndihmuar në mbajtjen gjallë të sistemit të arsimit dhe shëndetësisë përmes kontributit të diasporës (“3 përqindëshi”).
I lindur në Suharekë më 1947, Bukoshi studioi mjekësi në Beograd dhe u specializua në urologji në Prishtinë e Beograd. Edukimin e mëtejshëm e vijoi në Gjermani, ku mbrojti doktoraturën në onkologji urologjike në vitin 1985. Si kirurg dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai dha një kontribut të madh edhe në fushën akademike.
Pas dëbimit nga Klinika e Prishtinës në vitin 1990 për shkak të veprimtarisë së tij politike, ai luajti një rol kyç në organizimin e rezistencës paqësore, themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Pas luftës, mori pjesë në Konferencën e Rambouillet-së dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u realizuan projekte madhore infrastrukturore e kulturore. Më vonë shërbeu si deputet, ministër i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër, duke kontribuar në reformimin e sistemit shëndetësor dhe social të Kosovës.
Dr. Bukoshi lë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan e Taulant. Ai do të kujtohet si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës – një urë e fuqishme ndërmjet mjekësisë, politikës dhe mërgatës shqiptare.