Mbahet sot seanca e 28-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e zgjedhur do të tentojnë sërish t’i japin fund ngërçit politik të krijuar me mos konstituimin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por duket se kjo do të jetë e pamundur pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për të vendosur në foltore për katër vjet Albulena Haxhiun, e propozuar për të udhëhequr institucionin.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e NISMA janë kundër emrit të propozuar për kryetar të Kuvendit.

LVV, Guxo dhe Alternativa kanë hedhur 6 herë në votim Albulena Haxhiun dhe në mungesë të votave po kërkojnë votimin e fshehtë. Grupi parlamentar i AAK ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese për mënyrën e votimit të fshehtë.