Të hënën nis procesi i parë gjyqësor ndaj Sali Berishës, nën një akuzë që në thelb është kapje e shtetit. Akuza ngre dyshime se ai ka përdorur pushtetin për të rikthyer një pronë me procedura të dyshimta në favor të dhëndrit të tij dhe 5 ish-pronarëve të tjerë, por që në fund të këtij procesi, dhëndri – një pjesëtar minor i bashkëpronarëve – ka dalë aksioner kryesor duke përfituar nga favoret shtetërore të vjehrrit të tij kryeministër, që janë përkthyer në të ardhura financiare.

Pra, thelbi i akuzës është se dhëndri i tij ka përdorur favoret e bëra nga vjehrri kryeministër për të përfituar nga procesi i rikthimit të pronës, e cila nga ana tjetër është nën hetim nëse është rishitur një herë nga pronarët te qeveria gjatë pushtimit italian apo jo.

Ky është gjyqi i parë ndaj një ish-zyrtari të profilit të lartë nën akuzën për kapje të shtetit dhe përtej fatit të Sali Berishës s’ka rëndësi të madhe, pasi duhet të vendosë një standard gjykimi për çdo kryeministër në të ardhmen dhe çdo zyrtar të lartë që përdor pozitën e tij shtetërore për ndere familjare.

Po kaq i ngjashëm është rasti kur vajza e Sali Berishës, avokate, u kërkonte 3 për qind të vlerës së investimit klientëve të saj, nëse u kompletoheshin dosjet me leje që i miratonte babai i saj, siç ishte rasti i projektit të një TEC-i në Durrës në vlerën 100 milionë euro. Nga emailet e shkëmbyera mes saj dhe biznesmenit suedez rezultonte se asaj i takonin 3 milionë euro nëse ajo ia dorëzonte të plotë lejen e firmosur nga babai i saj.

Është kjo një nga arsyet madhore përse SHBA kanë përfshirë në listën e zezë dhe fëmijët e Sali Berishës, pasi ata kanë qenë të përfshirë në korrupsion madhor, duke përdorur pushtetin e babait të tyre, siç e përcakton dhe Departamenti i Shtetit në arsyetimin për shpalljen “non grata”.

Për Sali Berishën, ky nuk është gjyqi më i rëndësishëm i jetës së tij politike. Për të, ky ndoshta është më i lehti dhe më i pakuptueshmi, pasi në mentalitetin e tij klanor është ende e pabesueshme se si mund ta gjykosh atë pse ka ndihmuar vajzën dhe djalin e tij.

Përpara gjyqit të 21 janarit ku akuzohet për vrasje qytetarësh apo historisë së pagjykuar ende të Gërdecit, ky është një gjyq kafenesh për të.

Por më shumë sesa për të, ky gjyq është i rëndësishëm për standardet që duhet të vendosë drejtësia në shtetin shqiptar lidhur me rolin e të gjithpushtetshmit në fatin e njerëzve të afërt të tij në keqpërdorimin e pushtetit.

Ndaj ka shumë rëndësi që gjyqi të jetë i drejtë dhe vendimi final të jetë i arsyetuar dhe i mbështetur mbi fakte dhe jo thjesht mbi perceptimin mbarëpopullor që kemi për Sali Berishën si shkelës i ligjit. Mund të jetë dhe më keq sesa mendojmë, por këtë duhet ta vendosë gjykata.

Sali Berisha do të ishte i lumtur të dënohej nga ky gjyq dhe të mbyllej me kaq historia e gjykimeve të tij, pasi për të kjo është një çështje e pushtetit të familjes së tij, që ai nuk e ndan dot nga pushteti i tij politik. Një njeri që ka privatizuar partinë, me po aq lehtësi pati privatizuar dhe shtetin shqiptar. Ndaj ky gjyq duhet të dënojë pikërisht këtë mentalitet të pushtetarëve në Shqipëri që e quajnë shtetin pronë private dhe privilegjet për familjarët një e drejtë e pacënueshme.

Ky gjyq vlen më shumë për shtetin sesa për Sali Berishën. Për Sali Berishën personalisht vlejnë gjyqet ku ai ka duart me gjak, dhe fytyrën me flakën e barutit të djalit si biznesmen vdekjeje. Ky vlen thjesht për të treguar se qysh ditën e parë të ardhjes në pushtet, ai e kishte mendjen si të bënte familjen milionere. Dhe në këtë rast ka arritur të bëj plot 19 kulla mbi pronat e një klubi sportiv.