Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë kanë referuar në Prokurori materiale për shtetasin Përparim Memaj, 59 vjeç, banues në Vlorë dhe përgjegjës i sektorit të dekantimit të naftës në fshatin Gorisht, Selenicë. Ai dyshohet për derdhjen e mbetjeve të naftës në zonën e njohur si “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore.
Pas denoncimit të faqes ndërkombëtare “Blue Heart Rivers” dhe evidentimit të medias lexo.al për ndotjen masive në Parkun e Parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë, autoritetet po marrin masa konkrete për ndalimin e kësaj katastrofe ekologjike. Parku, i shpallur zonë e mbrojtur më shumë se dy vite më parë, po përballet me ndotje të madhe nga mbetjet e naftës, duke rrezikuar rëndë ekosistemin e lumit Vjosa.
CEO i organizatës Riverëatch, Ulrich Eichelmann, i cili vizitoi zonën, e përshkroi situatën si “katastrofën më të rëndë mjedisore që ka parë ndonjëherë në një lumë të mbrojtur”, duke shtuar:
“Është baltë, e trashë si katran… ajo që shohim nuk është më ujë, por naftë bruto.”
Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë vijojnë ndërsa shqetësimi për shkatërrimin e kësaj zone të mbrojtur natyrore rritet dita-ditës.