Një marrëveshje e heshtur, por vendimtare, është lidhur pak ditë më parë në Athinë: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin e Interpolit, Ahmed Naser Al-Raisi — një takim që ka shkaktuar panik në rrjetet e krimit që deri dje ndiheshin të paprekshëm.
Në qendër të diskutimeve: lokalizimi, arrestimi dhe ekstradimi i personave të shumëkërkuar që fshihen në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe apo rajone të tjera ku mungon bashkëpunimi i ngushtë me Shqipërinë.
Presidenti i Interpolit garantoi mbështetje të plotë për strukturat shqiptare të rendit. Dhe efektet u panë menjëherë: dy nga emrat më të përfolur të botës së krimit — vëllai i Nuredin Dumanit dhe një ndër personat kyç në pastrimin e parave për grupet e Elbasanit — u ekstraduan pa paralajmërim.
Kjo lëvizje ka përhapur frikë të hapur mes kriminelëve të arratisur, veçanërisht atyre që strehohen në Dubai, ku deri më tani fati i tyre dukej i garantuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve ekstradimi apo mungesës së besimit ndaj autoriteteve shqiptare.
Por Proda ka ndryshuar lojën. Ai ka sjellë një qasje të re në diplomacinë policore, duke e vendosur Policinë e Shtetit si një partner serioz, të besueshëm dhe të gatshëm për të vepruar në çdo terren.