Lajmi i fundit i publikuar në një media të njohur online (edhe më pas në shumë të tjera), që ngre shqetësimin për aktivitetin në TikTok të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, është një shembull i qartë i përpjekjeve mediatike për të ndërtuar një imazh negativ ndaj një figure publike në hetim, por ende në detyrë dhe pa asnjë vendim gjyqësor që e pezullon. Në vend që të fokusohen tek çështjet e rëndësishme që SPAK po heton prej muajsh dhe për bunkerin e statistikave që Prokuroria e Posacme në segmente të ndryshme ka ngritur, këto media zgjedhin të gjurmojnë dhe kritikojnë përpjekjet e Veliajt për të komunikuar në platforma të ndryshme.

Së pari, fakti që Veliaj vazhdon të jetë kryetar bashkie, pa u pezulluar apo marrë i pandehur në kuptimin ligjor, tregon qartë mungesën e një vendimi të formës së prerë. Kjo është një tërheqje thelbësore që media shpesh e neglizhon, duke e paraqitur atë si “kryebashkiakun e arrestuar” dhe duke e përshkruar situatën si një krizë morale apo ligjore, pavarësisht qëndrueshmërisë ligjore të tij në detyrë.

Në një kohë kur përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe transparenca janë më të rëndësishme se kurrë, Veliaj vazhdon të përdorë teknologjinë dhe rrjetet sociale, përfshirë TikTok-un, si mjete për të qëndruar afër 160 mijë votuesve të tij. Kjo nuk është asnjë akt revolucionar apo shkelje e rëndë është një vazhdimësi e strategjisë së tij komunikative që daton prej një dekade, dhe është krejtësisht normale në kontekstin e komunikimit modern politik.

Në lidhje me përdorimin e TikTok-ut, është e vërtetë që platforma është e kufizuar në Shqipëri, por kjo nuk është diçka që Veliaj e ka shpikur tani. Mungesa e përdorimit të tij nga pjesa tjetër e Partisë Socialiste nuk është një tregues i ndonjë norme të pandryshueshme apo diçka që Veliaj e ka shkelur me paramendim. Edhe për më tepër media po të jetë kaq shumë e interesuar për dëmin e TikTok meqë e paska ndaluar me VKM kryeministri nuk mbante me butafori prej kohësh se kjo mbyllje është heqje e lirisë së shprehjes. Edhe mbi të gjitha këto media të shqetësuara nuk mund të dalin kaq ‘hipokrite’ kur lajm të parë kanë pasur protestën ndaj mbylljes së TikTok. Nga ana tjetër gjithë ky shqetësim artificial ndaj TikTok-ut të Erion Veliajt do ishte i natyrshëm, kur të bëhej për gjithë personazhet që kanë denatyruar shoqërinë, me hapësirën e pakufijshme të dekadencës dhe degradimit deri aty sa kanë shkaktuar vërtet atë ‘thagmë’ të madhe që ka ndodhur disa muaj më parë, nga ku konkludoi dhe arsyeja e mbylljes.

Kjo do ishte dinjitoze për median.

Nga ana tjetër, mediave që akuzojnë të tjera media për servilizëm ndaj pushtetit, do duhet më parë të flasin për një tjetër fytyrë.

Atë fytyrë që nuk heziton të bëj shantazh, të zbuloj dhe të nxjerr në pah çdo detaj, edhe më të parëndësishmin, për të bërë lajm. Kjo është sidomos shqetësuese kur ndodh në prag të vendimeve të rëndësishme gjyqësore, ku fokusi duhet të jetë në zhvillimet ligjore dhe jo në lojërat e rrjeteve sociale.

Në fund, Veliaj është një kryebashkiak në detyrë, i zgjedhur dhe me përgjegjësi të plotë, i cili deri tani nuk ka ndonjë vendim ligjor që e largon nga pozicioni i tij. Përqendrimi i mediave në TikTok-un e tij, në vend që të bëhet një analizë serioze dhe objektive e hetimeve të SPAK, tregon se mediat shqiptare vazhdojnë të jenë të përfshira në lojën politike të ndërtimit të narrativave negative për figura publike, shpesh duke e cenuar rëndësinë e informimit të drejtë dhe të paanshëm./Lexo.al 

Lajmi i punuar nga gazetari Hermes Kafexhiu