Gjatë një interviste në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama ka zbuluar një nismë të re me rëndësi kulturore dhe historike: ndërtimin e një muzeu të posaçëm kushtuar historisë së islamizmit në Shqipëri.
“Po punojmë për një muze tjetër me karakter etnografik, që do të jetë për historinë e besimit islam,” deklaroi Rama, duke e paraqitur projektin si pjesë e një vizioni më të gjerë për pasurimin e infrastrukturës kulturore në vend. Kjo është hera e parë që qeveria bën publike një nismë të tillë, e cila synon të dokumentojë dhe paraqesë një komponent të rëndësishëm të identitetit fetar dhe historik të shqiptarëve.
Detajet konkrete mbi vendndodhjen, konceptin kuratorial dhe afatet kohore të realizimit të muzeut nuk janë bërë ende publike, por deklarata e kryeministrit ngre interes për të kuptuar më shumë rreth përmasave të projektit. A është ky një muze i ndërtuar nga e para? Cili do të jetë modeli i tij dhe a do të përfshijë bashkëpunime me institute ndërkombëtare? Pyetje që mbeten për t’u sqaruar.
Rama nënvizoi se kjo nismë vjen në një kohë kur Tirana po përjeton zhvillim të shpejtë në fushën e artit dhe kulturës. “Tirana ka kinema, ka teatër, jemi duke punuar për hapjen e Muzeut Kombëtar. Po ashtu, jemi në diskutime për të sjellë një muze të madh europian në Tiranë,” tha ai.
Në lidhje me institucionet e tjera kulturore, Rama foli edhe për gjendjen e cirkut: “Është e vërtetë që nuk ka cirk funksional për momentin, por kemi një strukturë ekzistuese që do të rikonceptohet dhe modernizohet për t’u kthyer në një hapësirë të denjë për artin e cirkut.”/Lexo.al