Ngjitja në malet kryelarta që shohin fushat dhe detin e mahnitshëm të Shqipërisë dhe adrenalina e rrjedhës së lumenjve ka tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj.

Prej disa ditësh, një grup prej 50 alpinistësh italianë, pasi zbritën në Vlorë kanë nisur të eksplorojnë malet e jugut e vendit, nga bregu i detit Jon deri në lartësinë e Malit të Tomorit.

“Kam qenë në Shqipëri para 12 vitesh, në Theth dhe Valbonë. Tani shoh sa shumë ka ndryshuar. Pas Tomorit do të ngjisim edhe male të tjerë në jug. Shqipëria është bërë një destinacion i shkëlqyer për alpinistët”, shprehet një prej turistëve italianë për Report Tv.

Kurse një tjetër flet për ndryshimet, pasi është hera e dytë që viziton Shqipërinë:

“Është hera e dytë që vij këtu. Vjet isha edhe në Kosovë. Këtë vit kemi më shumë kohë për të eksploruar. Vlora ka ndryshuar shumë. Keni zona të bukura për ecje dhe shumë histori”.

Në kërkim të aventurës dhe adrenalinës, 40 turistë spanjollë provuan për herë të parë emocionet e rafting në rrjedhën e Lumit Shkumbin.

“Jemi të kënaqur që ndodhemi këtu duke shijuar mikpritjen e popullit shqiptar, po shijojmë natyrën, atmosferën e këndshme, dhe ushqimin. Prandaj mezi presim ta vazhdojmë këtë përvojë dhe, sigurisht, e rekomandojmë. Kjo është Shqipëria”, shprehet një prej tyre.

Kurse dy turiste të tjera tregojnë eksperiencën:

“Na pëlqejnë gjurmët historike që ndodhen këtu. Qenka një vend me histori, po shijojmë edhe natyrën, edhe njerëzit qenkan shumë simpatik. Ushqimi është shumë i shijshëm, shumë mesdhetar”.

Po për rafting jeni shumë në humor?

“Po. Epo, ajo që nuk e dimë mirë është nëse është shumë i sigurt vendi. Por mirë, do ta provojmë. Është mbresëlënëse. Është argëtuese dhe shumë e bukur. Është shumë argëtuese dhe shumë e bukur”, vijojnë ato.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe natyra e cila ofron turizëm detar, malor, historik deri tek përjetimi i emocioneve të forta të aventurës e ka pozicionuar vendin tonë si një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve.