Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.
Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.
Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”, thotë Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale.
“SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. SHBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, shtoi ai.
Pavarësisht se kishte vendosur dy javë afat, Donald Trump miratoi sulmet ndaj Iranit të shtunën, duke goditur me bomba 3 baza bërthamore. Sipas tij, ato janë shkatërruar plotësisht. Pas sulmeve Trump i bëri thirrje Iranit të dorëzohet dhe të bëjë paqe.