Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë abuzive nga persona dhe biznese të ndryshme. Me tone të forta dhe një ultimatum të prerë, kreu i qeverisë paralajmëroi se çdo pengesë që privon qytetarët nga hapësira e tyre publike do të hiqet me forcën e ligjit.

Operacioni nis në mes të muajit korrik, por përpara ndërhyrjes fizike të policisë bashkiake dhe strukturave inspektuese, kryeministri i ka dhënë zaptuesve 2 javë afat për t’i çmontuar vetë trarët, tendat dhe çdo strukturë tjetër që ka pushtuar territor publik.

“Është bërë e papranueshme dhe e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv, edhe patjetër, edhe sy mbyllja e strukturave përkatëse, siç për shembull është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë,” – deklaroi Rama.

ÇFARË DO TË GODITET?
Sipas Ramës, fokus i veçantë do t’i kushtohet:

Trarëve të vendosur në hyrjet e pallateve, të përdorur për të nxjerrë para në mënyrë abuzive nga banorët;

Hapësirave përreth pallateve, që sipas ndërtuesve trajtohen si pronë private, por që në fakt janë pjesë e përbashkët e komunitetit;

Lokaleve dhe bareve, që kanë pushtuar trotuaret me tenda dhe mushama, shpesh të përdorura edhe për pirje duhani në kundërshtim me ligjin.

“Ndërtuesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, kanë vazhduar të trajtojnë pronën përreth si pronë private. Ajo nuk mund të jetë pronë private. Askush nuk ka më shumë të drejtë mbi tokën përreth se çdo banor tjetër i atij pallati,” – tha Rama.

“MOS I ÇMONTUAT VETË? DO T’JU ÇMONTOJMË NE!”
Kryeministri paralajmëroi masa drastike ndaj kujtdo që nuk reflekton brenda afatit:

“Jo vetëm që do t’iu çmontohen, por do të përballen edhe me gjoba dhe deri me ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim e shkatërrim të pronës publike,” – u shpreh ai.

AKSION NË GJITHË SHQIPËRINË
Deputetët e zgjedhur dhe strukturat vendore do të zbresin në terren për të hartuar një inventar të plotë të të gjitha hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme. Rama premtoi se në dyjavëshin e dytë të korrikut, shteti do të veprojë me të gjitha instrumentet që i jep ligji.

“Do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më, me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe të Policisë së Shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘shtëpinë’ tonë të përbashkët,” – paralajmëroi ai.

PSE ËSHTË KY OPERACION I RËNDËSISHËM?
Ky aksion nuk është thjesht çmontim i strukturave të paligjshme – është një çlirim i hapësirës publike, i frymëmarrjes së qytetarëve. Kryeministri theksoi se nuk do të lejohet më përfitimi në dëm të komunitetit:

“Territore të tëra janë kthyer në ‘tokë të xanun’. Tani është koha t’i japim fund këtij abuzimi. Fëmijët, të moshuarit, nënat dhe prindërit duhet të marrin frymë lirshëm në lagjet e tyre,” – tha Rama.

THIRRJA E FUNDIT E RAMËS:
“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë të gjatë të bëjnë para në dëm të komuniteteve: filloni të mbledhni plaçkat! Sepse boll është boll, boll është boll!”

Lexo.al do të ndjekë nga afër zbatimin e këtij operacioni madhor dhe do t’ju sjellë çdo detaj mbi ndërhyrjet në terren, gjobat, ndjekjet penale dhe rikthimin e hapësirave publike te qytetarët!