Çlirimi i tretë i Tiranës! Kryeministri nuk humb kohë, dhe e ka nisur vetë i pari aksionin e lirimit të hapësirave publike.
Me një thirrje të fundit, kryeministri Rama ka denoncuar dhe paralajmëruar këto kioska, lokale e dyqane te zona e 21 dhjetorit të lirojnë trotuare e lulishte, ose më pas nuk do kenë më kohë.
“Kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cenim të shëndetit e sigurisë fizike të qytetarëve, krim mjedisor dhe me radhë”, tha ai.
Nga një vëzhgim i AbcNews, rezulton se jo vetëm 21 dhjetori por thuajse gjithë pjesa e unazës së re ka të njëjtën problematikë. Nuk mbeten pas as parkimet apo banesat private.
Kryeministri në një tjetër rast zbulon se janë qytetarët ata që po i sjellin vetë denoncime, si ky rast i këtij kompleksi privat në njësinë 3. Por një sy, e ka dhe nga Vlora. Tani bizneset në lungomare kanë një ultimatum, 48 orë për të hequr vetë pergolatat në Lungomare, ose do ndërhyjë shteti.
Por nëse në Vlorë, Rama is shkuli veshin kryebashkiakut Dredha, në Tiranë ai nuk ka një kryebashkiak te zgjedhur në zyrë. Ndaj dhe ashtu si 20 vite më parë, kur herë me fadroma e herë vetë me sëpatë hoqi kioskat e çliroi Tiranën nga çdo ndërtim i mundshëm edhe në mes të rrugës, tani po merr përsipër t’i rikthehet kohërave të vjetra.
“Ka Tiranë dhe Tiranë. Ajo nga lart e dronëve dhe kjo poshtë e kamerave të telefonave të qytetarëve. Edi Rama e di me mire se kushdo se kryeqyteti është qendra politike e vendit dhe lista e tij e 11 majit dinakërisht e provoi këtë. Tirana i dha një mandat me shume por vota me pak socialisteve, ndërkohë që asnjë person nga bashkia apo këshilli bashkiak, nuk doli dot deputet. Si dhe asnjë nga njerëzit e afërt të kryetarit, prej 7 muajsh ne gjendje izolimi në Durrës.
Tirana nuk qeveriset dot në mënyre teknike. Ndaj dhe sulmi i kryeministrit për të rimarrë Tiranën edhe një herë në zgjedhjet e parakohshme lokale, po nis nga ata që folën të fundit: tiranasit në 11 maj. Dhe pas kësaj caktimi i datës së zgjedhjes se kryetarit të ri, është vetëm një formalitet”, raporton gazetari i ABC News, Andon Kello/abcnews.al/