Kryeministri Edi Rama, nga Vlora ku zhvilloi një tjetër takim në bashki dhe inspektoi hapësirat publike në disa zona, tha se drejtorët e dorëhequr e kanë kuptuar se qyteti është mbi të gjitha.
Kreu i qeverisë u shpreh se ndonjërit prej tyre mund t’i jepet mundësia në të ardhmen, ndërsa e cilësoi këtë hap, si të parin drejt një transformimi të thellë. Ai tha se bashkia e Vlorës duhet të jetë një institucion për qytetarët dhe një ‘institucion i pagjumësisë’, ndërsa ftoi të rinjtë e të rejat që të aplikojnë për vendet vakante në bashki.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Drejtuesit, edhe ata rajonalë, kanë dhënë dorëheqjen dhe i falënderoj. Nuk do të ketë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmojë të gjithë dorëheqjet dhe kështu do të ndodhë me të gjitha institucionet e vendit e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë. I ftoj të rinj e të reja të aplikojnë dhe ne do të jemi krah tyre. Një ristrukturim edhe në PS të Vlorës dhe Klevis Kason dhe Erjona Ismailin. Një parti që do të jetë e hapur për të gjithë dhe për të sjellë prurje të reja.”, tha kreu i qeverisë.