Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 14:00 për herë të fundit në kuadër të seancave të shumta konstituive, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi.

Nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as sot, në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.