Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për Klan Kosova, ku flet edhe për Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Ramaa. Thaçi vlerëson rrugën që vendi ynë ka bërë drejt BE-së, ku thekson se Edi Rama po bën historinë evropiane të shqiptarëve.
Adriatik Kelmendi: Çfarë mesazhi do t’u dërgonit liderëve aktualë të Kosovës, për shtyrjen përpara të vizionit tuaj për shtetin?
Hashim Thaçi: Ripërsëris shpreh vetëm opinion, të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shume dialog, tolerancë, bashkëpunim, respekt për njeri tjetrin. Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme.
Shqipëria! Pas tri dekadash me ngritjet dhe rëniet e veta, Shqipëria po e përmbyll në mënyrë mbresëlënëse tranzicionin demokratik.
Sot, Shqipëria është një vend i respektuar dhe i besueshëm nga bashkësia ndërkombëtare. Është nder kur shihje Shqipërinë të udhëhiqte takimet e Këshillit të Sigurimit, me agjendë të koordinuar me SHBA-të dhe fuqitë tjera perëndimore. Shqipëria e zhveshi para botës agresionin rus në Ukrainë.
Shqipëria e mbështeti, mbrojti dhe afirmoi fuqishëm dhe dinjitetshëm shtetin e Kosovës. Shteti i Kosovës duhet t`i kontribuojë fuqizimit të Shqipërisë, e jo ngatërrimit të saj në rrugën evropiane. Shqipëria të mos kuptohet dhe trajtohet me mentalitet të lagjes së një cepi kombëtar, por në rrafshin gjeopolitik, ashtu siç edhe është shtet i respektuar anëtar i NATO-së. Sot, roli i Shqipërisë në rajon është lider në iniciativa për paqe dhe zhvillim.
Shqipëria me gjithë vështirësitë ka rienergjizuar konsolidimin e institucioneve demokratike, po i fuqizon reformat në politikë, drejtësi dhe ekonomi. Me këtë ecje është në rrugë të sigurt dhe të shpejt për anëtarësim në Bashkim Evropian. I mbetet vetëm standardizimi evropian. Shih vonesat që po i ndodhin Serbisë, Mali të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë… të gjithë ishin para Shqipërisë, ndërruan pozicionet. Shqipëria po udhëheq bindshëm rrugëtimin evropian nga vendet e rajonit.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zotimi i Kryeministrit Rama për të organizuar Samitin e NATO-s në Tiranë në 2027 është impresiv dhe historik, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria në vetëm pak vite më parë nga një shtet i përçmuar dhe i tallur nga shumë anë, sot është shndërruar adresë – shembull i mirë i ndërtimit të historisë euroatlantike.
Vrullshëm Shqipëria po bëhet atraktive. Është fantastike, të lexoj artikuj apo shoh dokumentarë në mediumet më prestigjioze të botës për impresionin e turizmit historik-kulturor, bregdetar, malor, me plot bukuri dhe mundësi të reja. Të gjithë këta faktorë dhe të tjerë e kanë bërë Shqipërinë më të qasshme, më komode e më konkurruese. Pengesa e vetme për vonesat eventuale për një të ardhme të shkëlqyer për Shqipërinë dhe Kosovën mund të jenë vetëm shqiptaret.
Shqipëria sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore. Edi Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim. Edi po e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi po e bën historinë evropiane të shqiptarëve./KLAN KOSOVA