Diçka për Thethin!
Pata pyetur dikë për leje ndërtimi në tokë time. Më tha, bëjë, se s’të thotë askush asgjë, s’të vjen kush. I thashë jo. Nëse unë ndërtoj pa leje veç me fjalën e dikuj, jam unë që po luaj bixhoz me lekët e mia. Nesër ta shemb e ske çfarë i thua!
Shteti nuk flet me fjalë, shteti s’ka gojë, shteti flet me akte e me vendime – ato janë goja e shtetit. Me shtetin s’ka besë as fjalë, ka veç vendime. Nëse do të luash bixhoz duke u bazuar te fjala private e zyrtarëve të shtetit, qoftë edhe kryeministri, luaj.
Para 18 vjetësh pata lexuar një libër për Oso Kukën. Më ka mbetur në mend diçka, shteti i kohës donte të rregullonte një rrugë që lehtësonte kalimin në ato malsi. Dikush i thotë jo, nuk na pëlqen shumë hapja e rrugës, se po u hap rruga, siç vijnë njerëzit e mallrat, vjen edhe ushtria më kollaj. Ne duam të ruajmë autonominë dhe kanunin, nuk e duam ushtrinë e shtetit prezente në këto malsi.
Ka dy zgjidhje, ose të pranosh ndërtimin e rrugës, të pranosh ardhjen e mallrave, të pranosh investimet, të pranosh hapjen, ose të mos i pranosh këto dhe të çmosh më shumë autonominë dhe pavarësinë historike kanunore.
Nuk mundesh t’i kërkosh shtetit edhe rrugën, dhe investimet, edhe aksesin, dhe mirëqenien, por njëkohësisht edhe të mos e pranosh autoritetin e shtetit. Mundesh mirëpo shteti s’ta pranon ketë lloj “pazari”.
Ajo çka duhej dhe duhet kërkuar për ato zona janë titujt e pronësisë dhe plani rregullues në përputhje me karakteristikat e zonës; që njerëzit të kenë siguri për biznes dhe të munden të fitojnë nga turizmi, të munden të pasurohen me pronat e tyre.
Këto pretendimet se kemi 2000 vjet këtu, është toka jonë, na ka rrejt apo pre në besë Rama, janë romanticizma epike, por vetëm kaq. Ketë gjë duhet ta kishin kërkuar përfaqësuesit e malsive në fjalë. Nuk e kanë kërkuar.
Dhe votat nuk janë dhënë në ketë marrëdhënie, por janë dhënë me tifozeri, burrë i mirë ky, burrë i mirë ai, komunizmi kështu, ballistët ashtu. Tani paguajnë faturën e qasjes në fjalë.
Fakti se qeveria ka lejuar dikë tjetër diku tjetër për të ndërtuar pa leje, nuk ndihmon askënd. Sepse çfarë po thua? Po thua më lejo edhe mua pa leje?
Këtu ka lloj-lloj pretendimesh, veç pretendimi për ligjshmëri, për siguri ligjore, për investim dhe zhvillim mbi baza të sigurta, nuk shihet askund.
Këto raste në vend që të shërbejnë për të reflektuar se çfarë modeli i zhvillimi na duhet, shërbejnë për të risjellë historira e steriotipe. Jo na ka hy komunizmi në malsi, jo s’ka hy turku, jo na preu në besë Edi Rama…!
Dakord, janë të mira këto për t’i gjetur kuptim jetës, mirëpo s’kanë lidhje me situatën e tanishme.
Tani duhet t’i kërkohet shtetit siguri dhe zhvillim mbi baza të qëndrueshme. Pronat i ndërtojnë vetë, shteti ka detyrë të krijojë kuadrin për zhvillim të sigurt e afatgjatë.